Çmimet e larta të fruta-perimeve, ekspertët: Pasoja per konsumatorët, grumbulluesit, përpunuesit dhe eksportuesit  

E mërkurë, 29 August 2018 16:07

Çmimet e larta të frutave dhe perimeve këtë sezon, nuk do të sjellin pasoja vetëm tek konsumatori, por edhe tek grumbulluesit, përpunuesit dhe eksportuesit shqiptar.

Ekspertët thonë, se janë qindra kontrata të cilat mund të përballen me vështirësi, si pasojë e mungesës së prodhimit vendas.

I këtij mendimi është edhe Dritan Sadikaj, ekspert i çështjeve ekonomike e bujqësore, i cili shprehet, se konsumatori shqiptar është përballur dhe po përballet me çmime të kripura, ndërsa grumbulluesit po përballen me mungesë prodhimi, i cili ishte planifikuar për të përpunuar dhe eksportuar.
“Rritja e çmimit të frutave dhe perimeve ka sjellë pasoja jo vetëm tek konsumatori shqiptar, por edhe tek grumbulluesit, përpunuesit dhe eksportuesit shqiptar. Shumë kontrata që ata kanë nënshkruar, mund të vihen në vështirësi, pasi ata kanë planifikuar sasi të caktuara për eksport, por që këtë vit nuk i kanë mbledhur dot. Industria sot gjendet në situatë të vështirë, pasi nuk ka prodhim. Fermeri në mungesë të prodhimit të bollshëm rrit çmimin, por nga ana tjetër, goditen kontratat e nënshkruara” thotë Sadikaj.

Nga ana tjetër, ai shprehet, se çmimet e larta të frutave dhe perimeve, këtë sezon vere, kanë ardhur si pasojë e shumë shkaqeve, por ajo çka më së shumti ka rënë në sy, është fakti, se fermeri shqiptar nuk po kultivon më, si më parë, prodhime, ndërsa nga ana tjetër, është prishur ekuilibri mes ofertës dhe kërkesës.

“Këtë vit ka pasur një ofertë më të ulët në krahasim me vitet e tjera.Pra, është prodhuar më pak se vitet e tjera, pasi fermeri vitin e kaluar është përballur me çmime që kanë qenë shumë të ulëta dhe fermeri ka hequr dorë nga prodhimi në sasi të mëdha. Por, ndikim mund të kenë pasur kushtet atmosferike, duke sjellë prodhim të kufizuar” thotë ai.

Eksperti Sadikaj shton, se tregu shqiptar është i paparashikueshëm, ndaj dhe sugjeron, që fermerët vitin e ardhshëm të rrisin sasinë e kultivimit të perimeve, pasi një ndikim ka edhe sezoni turistik, ku kërkesa për perime e fruta rritet akoma më shumë.

Këtë sezon vere, kur edhe u prit që çmimet të pësonin rënie, për shkak të pikut të prodhimit, çmimet kanë qenë shumë të larta si tek: Kastraveci, domatja, speci, shalqini, pjepri etj.

Login to post comments