Kredia për ekonominë u rrit gjatë korrikut për herë të parë këtë vit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i kredisë arriti vlerën e afro 533 miliardë lekëve, me një rritje prej 2.5 miliardë lekësh që nga muaji i kaluar.
Me bazë vjetore, stoku i kredisë ngelet sidoqoftë në rënie, me një vlerë 2.3% më të ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sidoqoftë, në gjysmën e dytë të vitit kredia ka nisur të japë disa sinjale pozitive, pas një ecurie mjaft zhgënjyese në gjysmën e parë.
Kreditimi ka vuajtur kërkesën ende të dobët për kredi sidomos nga bizneset, por edhe një qëndrim në vazhdimësi konservator nga sektori bankar në këtë segment të tregut. Guvernatori Sejko ka bërë apel në mënyrë të përsëritur për një sjellje më koherente nga sistemi bankar, në përputhje me përmirësimet në mjedisin ekonomik dhe uljen e raportit të kredive me probleme.
Portofoli i kredisë u tkurr më shumë nga mbyllja e një pjese të ekspozimeve të Korporatës Elektorenergjetike Shqiptare, që i zëvendësoi një pjesë të overdrafteve bankare me një linjë kredie të marrë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Megjithatë. gjatë korrikut rritja e huasë ishte e shpërndarë si në segmentin e biznesit, ashtu edhe në atë individëve. Kredia për bizneset sidoqoftë ngelet në rënie vjetore, ndërsa kredia për individë vazhdon të rritet.
Në fund të korrikut, portofoli i huasë për individë ishte në rritje vjetore me 5%. Vlerat e portofolit vuajnë sidoqoftë edhe efektin e kursit të këmbimit te pjesa e portofolit në valutë. Euro është zhvlerësuar ndjeshëm këtë vit, duke sjellë një ndikim të rëndësishëm në tërësinë e portofolit të kredisë, që raportohet në lekë.