Kryeministri Edi Rama ka bërë fajtore mediat edhe për situatën kriminale në qytetin e Shkodrës. Rama pretendon për rezultate pozitive të policisë në Shkodër, por e vërteta sipas tij, nuk publikohet në tregun mediatik.
Arrestimin e katër personave në një qytet që dominohet nga bandat, kryeministri e konsideron sukses të madh të policisë.
“E vërteta e shifrave të krimit dhe rezultateve në vite të policisë në Shkodër flet qartë, paçka se s’çan dot në tregun mediatik. Sot Policia e Shtetit ka folur përsëri me vepra. Me llafet e kujt ikën nga Kuvendi për të bërë politikë me krimin qytet më qytet s’ia vlen të merresh”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Policia e Shtetit ka arrestuar sot katër persona dhe një prej tyre, Ilir Bajri, akuzohet se ka kryer të paktën katër vrasje, por vijonte të lëvizte i qetë në rrugët e qytetit. Reagimi i policisë erdhi vetëm pas denoncimit të situatës nga opozita shqiptare.