Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka arsyetuar vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Adriatik Cama.
Sipas KPK prokurori Cama është i korruptuar si dhe nuk justifikon pasurinë. Sipas vendimit, prokurori ka marrë një shumë parash për pushimin e një çështjeje. “Në raportin e ripunuar jepen detaje në lidhje me informacionin e dërguar nga autoritetet verifikuese, për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, konkretisht atë të korrupsionit pasiv të këtij subjekti.
Gjatë kohës që Adriatik Cama ka qenë në detyrën e drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, së bashku me prokurorin Gj.Th. kanë marrë shumën prej XXXX nga familjarët e shtetasit Y. Y., për pushimin e çështjes penale në ngarkim të tij, i cili ishte ndaluar nga Prokuroria e Rrethit Lushnjë për kontrabandë. Në raportin mbi kontrollin e figurës për subjektin në fjalë, DSIK-ja vlerëson se gjendemi në një situatë që evidenton forma të shfaqjes së korrupsionit pasiv, kryerjes së veprimeve/dhënies së urdhrave arbitrare, gjatë ushtrimit të detyrës, ndër radhët e funksionarëve të sistemit të drejtësisë.
Referuar këtij raporti, dy prokurorët kanë kërkuar e marrë mitë, nëpërmjet personave të tretë, presonit të ndaluar/nën hetim, për favorizim/pushimin e çështjes në ngarkim të tij, në papajtueshmëri të plotë më detyrën”, thuhet në vendim.Gjithashtu, KPK ka konstatuar se prokurori nuk justifikon pasurinë.
“Komisioni, pasi shqyrtoi dokumentacionin e grumbulluar nga hetimi administrativ, si dhe provat e shpjegimet e paraqitura nga subjekti, në përfundim të vlerësimit të kriterit pasuror për këtë subjekt, konstaton se: Referuar deklaratës së vitit 2003 dhe Deklaratës-Vetting konstatohet se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë lidhur me vlerën e blerjes së apartamentit. Ky subjekt ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë e krijuara deri në fund të vitit 2003. Subjekti ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar krijimin e depozitës bankare në maj të vitit 2008, në emër të bashkëshortes së tij”, thuhet në vendim.
Sipas KPK, nga verifikimi konstatohet se subjekti i rivlerësimit nuk ka deklaruar si shtesë pasurie gjendjen e likuiditeteve në bankën “Credins” në vlerën prej 1,039 eurosh. “Subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur me të, bashkëshortja e tij, nuk kanë deklaruar gjendjet e llogarive bankare në fund të viteve përkatëse. Ky subjekt ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar shtesën e aseteve për vitin 2009.
Ky subjekt ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar shtesën e aseteve për vitin 2010. Ka bërë deklarim të rremë pranë këtij Komisioni lidhur me financimin e llogarive bankare të tij, si edhe nuk ka deklaruar këto të ardhura të kredituara në llogaritë e tij dhe bashkëshortes së tij ndër vite, si dhe burimin e krijimit të tyre”, thuhet në vendim.