Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë dha dje miratimin paraprak për bashkimin me përthithje të Bankës Intesa Sanpaolo Albania sh.a. me Veneto Banka sh.a Kjo do të thotë se pas përthithjes, Banka Intesa Sanpaolo Albania sh.a. do të jetë pasuese e Bankës Veneto sh.a. në Shqipëri.
Gjithashtu miratimi paraprak u dha edhe bashkimin me përthithje tw Bankës Amerikane të Investimeve sh.a. (shoqëria përthithëse) me Bankën NBG Albania sh.a. (shoqëria e përthithur). Kjo do të thotë se pas përthithjes, Banka Amerikane e Investimeve sh.a. do të jetë pasuese e Bankës NBG Albania sh.a.
Gjithashtu Këshilli i Mbikëqyrjes analizoi gjatë mbledhjes së sotshme se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, veprimtaria e sektorit bankar u paraqit e qëndrueshme, me tregues të mirë të performancës dhe të rezistencës financiare. Por sipas analizës së Bankës Qëndrore sektori u karakterizua nga rënia e aktiveve në valutë për shkak të mbiçmimit të ndjeshëm të kursit të këmbimit të lekut, i cili ndikoi në tkurrjen vlerës së totalit të aktiveve të sektorit për periudhën në fjalë.
Këshilli Gjithashtu miratoi sot Deklaratën dhe Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2018. Këshilli vlerësoi se zhvillimet ekonomike dhe ecuria e tregjeve financiare mbështetën në tërësi veprimtarinë e sistemit financiar. Gjatë periudhës, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë nuk pati ndryshime të ndjeshme dhe se a Aftësia e sektorit bankar për të përballuar këto rreziqe, në kushtet e niveleve të larta të likuiditetit, kapitalizmit dhe përfitueshmërisë, vlerësohet e fortë.
Sot u miratua tematika dhe lista e elementeve të sigurisë për kartëmonedhën shqiptare me kurs ligjor, prerja 10,000 lekë.
Me anë të këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi vizatimet e kartëmonedhës së re me kurs ligjor të prerjes 10,000 lekë dhe listën e elementeve të sigurisë që do të ketë kjo kartëmonedhë.