Pas zbulimit të skandalit të shoqatës artistike fantazëm “Ferdinand Deda",e cila rekrutonte punonjëse seksi nëpërmjet njoftimeve “online” të punësimit ka reaguar djali I dirigjentit të njohur, kantautori Elton Deda.
I revoltuar përmes një statusi në rrjete sociale ai u shpreh se do të përpiqej ta hiqte njëherë e mirë fytyrën e hijshme të të atit nga ky akvitetet i ndyrë i zbuluar nga “Fiks Fare”
Postimi i plotë i Elton Dedës
“I dashur Baba, Nder i Kombit dhe muzikanti gjeni. Më në fund të erdhi edhe ty radha që në 15 vjetorin e vdekjes, të dalësh në TV, jo me baketën tënde në dorë, por fytyra jote e pashme e stampuar në një vulë shoqate, e cila merret me prostitucion dhe eskorta. Se si është legalizuar kjo shoqatë në gjykatë nuk e di, por me siguri kanë harruar të kërkojnë pëlqimin tënd, meqenëse ti ke lëvizur për pak kohë jashtë shtetit. Gjithashtu edhe për ne familjarët e tu, harruan të na kërkojnë një autorizim të përkohshëm, derisa të vije ti.
Meqë të erdhi shorti në majë të hundës dhe vendose të mos ktheheshe, këta vendosën të të kujtojnë duke të respektuar dhe duke i vënë emrin tënd të nderuar një shoqate. Mbase po të kishe vendosur të rrije edhe mund të kishe përfituar diçka nën dorë, pa zhurmë dhe mbase kishe mbyllur ndonjë vrimë në portofol.
Të premtoj që do bëj ç’është e mundur ( pasi e di që shumë pak prej baballarëve të kombit do t’u interesojë ta ndjekin këtë çështje), ta heq përjetësisht fytyrën tënde të hijshme nga ajo vulë dhe nga ai aktivitet i ndyrë. Nuk mund të rri pa falenderuar “Fiks Fare” që e solli në vëmendje këtë fenomen. Do flasim prapë Babi, qëndro i fortë! Yt bir.”