Qarku i Krujës vijon të jetë problematik për kultivimin e kanabisit, ndërsa në disa raste policia nuk bën publike operacionet për sekuestrimin e lëndëve narkotike.
I tillë është edhe rasti i para dy ditëve, ku policia e Krujës ndërmori një aksion në fshatrat Ranzë, Nojë, Bruzë, Zallë e Cudhi Zallë, Njësia Administrative Cudhi, Bashkia Krujë, ku në një territor te shpyllëzuar, tokë publike, ambient i hapur, territor i Komisariatit të Policisë Krujë, u gjetën 10 parcela me sipërfaqe 586 m², të mbjella me kanabis.
“BalkanWeb” raporton se lënda narkotike ishte rreth 150 centimetra e gjatë dhe në faze pjekjeje. Gjatë operacionit, i cili zgjati disa ore u asgjësuan me anë të djegies rreth 200 bimë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa, me lartësi deri në 130 cm.
Për këtë operacion policia nuk tregoi transparencë. Megjithëse lënda narkotike u asgjësua më 5 shtator operacioni nuk u publikua ne media dhe as u pasqyrua në faqen zyrtare të policisë se shtetit www.asp.gov.al.