E vranë se denoncoi parcelat e kanabisit, policia dekonspiroi Alket Muhon?

Premte, 07 September 2018 11:26

Nëse nuk do të denonconte parcelat e kanabisit të mbjella në fshatin e tij sot do të ishte gjallë.

Por Alket Muho, kishte vendosur që të tregonte se në zonën e Memaliajt kanabis vazhdohej të mbillej.

E për të mos dalë emri i tij dhe për të mos u tradhtuar, 43-vjeçari nga fshati Rabije i Memaliajt nuk do të denonconte në Policinë e Tepelenës, sepse aty e dinte që emri i tij do të bëhej publik brenda pak minutash.

Muho do të denonconte në Tiranë në atë që njihet si Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.

Tek policia që heton policinë, Alket Muho do të denonconte se në fshatin e tij dhe zonat përreth po mbillej kanabis.

Por edhe këtu, denoncimi i tij nuk do të qëndronte sekret.

Emri i tij do të bëhej publik për strukturat e policisë, por jo vetëm për ta. Policia do ta tregonte emrin e Alket Muhos edhe tek trafikantët e kanabisit.

E nuk do të kalonin shumë ditë.

Vetëm 10 ditë do të kalonin nga denoncimi, kur Alket Muho do të ekzekutohej në tokën e tij jo shumë larg shtëpisë në fshatin Rabije.

Edhe pse u tregua një qytetar denoncues për drogën që mbillej në fshatin e tij, policia nga ana tjetër vazhdon të jetë e njëjta, bashkëpunëtore me trafikantët e drogës dhe tradhtare ndaj qytetarëve.

Kush oficer policie e dekonspiroi qytetarin Alket Muho në denoncimin e tij për parcelat e kanabisit dhe ia dha emrin vrasësve?

Kjo është një pyetje që Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit duhet ti japin përgjigje.

Modifikuar më Premte, 07 September 2018 11:28
Login to post comments