Në dekadën e fundit, mbetjet plastike janë shndërruar në një nga shqetësimet më të mëdha mjedisore në rang global. Nëse vazhdohet me këto ritme parashikohet se deri në 2050 do të ketë më shumë plastikë se peshq në oqeane.
Por nga vjen e gjithë kjo plastikë?
Portali i të dhënave Ourwolrd in Data ka publikuar së fundmi të dhënat mbi mbetjet plastike të pa menaxhuara në të gjithë botën, të projektuara deri në vitin 2025. Sipas të dhënave sasia e mbetjeve të pa menaxhuara në Shqipëri është 29,705 tonë. Krahasuar me vendet e rajonit që janë marrë në shqyrtim sasia është shumë më e lartë. Në Bosnje dhe Hercegovinë sasia e mbetjeve të pa menaxhauara është rreth 12,955 tonë, ndërsa në Malin e Zi, mbetjet plastike të pa menaxhuara përllogariten 4,416 tonë.
Kina mbetet vendi numër një për sasinë më të lartë të mbetjeve të pa menaxhuara. Sipas të dhënave në portal mbetjet plastike të pa menaxhuara janë 8.82 milionë tonë plastikë, e ndjekur nga Indonezia me një sasi të pa menaxhuar të mbetjeve plastike prej 3.22 milionë tonë. I gjithë pellgu i Lindjes së Largët duket se kanë një problem me menaxhimin e mbetjeve plastike. Edhe Tajlanda prodhon një sasi të konsiderueshme mbetjesh plastike, ku sipas të dhënave të publikuara nga portali Our World in Data, sasia vjetore është 1.03 milionë tonë. India ka një sasi mbetjesh prej 600 mijë tonë mbetje të pa menaxhuara të plastikës.
Mbetjet e pa menaxhuara të plastikës janë të përcaktuara si plastikë e ndotur ose e hedhur në vend të papërshtatshëm.
Mbetjet plastike të pa menaxhuara përfshijnë hedhjet apo groposjen e tyre në vende të pakontrolluara, ku nuk janë të përmbajtura plotësisht. Mbetjet e menaxhuara keq kalojnë përfundimisht në oqean nëpërmjet rrugëve ujore, rrjedhjeve të ujërave të ndotura, dhe transportit me anë të erës apo valës.”