Nga Ilirian Demiri
Mësuesin askush nuk e vërshëllen. Bile, kënaqësinë e vetme duke nisur nga Ministrja e Arsimit, e kanë kur e fyejnë, apo e poshtërojnë. Tashmë, duke qenë i nëpërkëmbur, i denigruar dhe i keqpaguar, të gjithë të rinjtë i largohen këtij sektori.
Mësuesit një ditë më parë u tromaksën kur ua treguan se, Ministrja ka urdhëruar që mësuesve të mos u paguhen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Është një barbari ekstreme ky dhunim financiar. Natyrisht nëse është e vërtetë. Për këtë Ministrja e arsimit duhet të reagojë menjëherë. Nëse kjo është e vërtetë, Lindita Nikolla duhet të japë menjëherë dorëheqjen dhe ndaj saj duhet të nisë ndjekja penale. Mjaft më me idiotizma ekstreme që gjithnjë i kryejnë pushtetarët duke poshtëruar hallexhinjtë. Sepse Shqipëria nuk është vetëm e tyre.
Është e vërtetë që puna në të zezë në këtë Shqipërinë tonë, është një fenomen I shtrirë gjerësisht kudo. Po, ama, në sektorin privat. Nëse, ky detaj idiotesk do të jetë I pranishëm edhe në sektorin shtetëror, është një paralajmërim se gjithçka në këtë gjysmë shtet ka përfunduar dhe secili të nisë t’i dalë zot vetes.
Veprimet më shumë se qesharake në sektorin e arsimit ndjekin njëri tjetrin. Një grindje mes palopolitikanëve pse dëftesat shpërndahen me vonesë u regjistrua në muajin korrik. Aq sa palopolitikanët tanë kërcënuan njëri tjetrin se do të takoheshin në gjyq. Ndërsa shqiptarët e shkretë mbetën të tromaksur. Sepse, prej vitesh dëftesat e mbarimit të vitit shkollor, jepeshin kur niste viti I ri shkollor. Këtë gjë e dinin të gjithë, I madh dhe I vogël, Këtë nuk e dinin për turp të zotit vetëm palopolitikanët albanezë.
Sido të rrjedhin ngjarjet e këtij budallallëku arsimor, I gjithë komuniteti shqiptar është mjaft I shqetësuar me situatën në të cilin ndodhet sektori arsimor. Një sektor tashmë I shkatërruar krejtësisht. Bie fjala, edhe nëse nxënësi është krejtësisht analfabet, apo nuk vijon shkollën, nëse është i regjistruar, ai do të kalojë klasën. Tashmë fenomeni I mbetjes së ndonjë nxënësi në klasë është harruar krejtësisht nga prindërit dhe nga mësuesit. “T’ia mbajë ndonjë mësuesi të ngelë një nxënës që është krejtësisht analfabet. Nuk dihet çfarë do ta gjejë. Ndoshta largimi nga shkolla”,- tregojnë vetë mësuesit për nivelin e vërtetë ku ndodhet arsimi albanez.
Me mësuesin mund të tallet kujt I qohet. Ja, bie fjala, u kujtua Kryeministri dhe Ministrja e Arsimit të tallen me mësuesin në prag të festës së vitit të kaluar. Në çdo takim që kryenin me mësuesit u përbetoheshin se, “rilindja do të rrisë këtë mandat pagën e mësuesit në masën 40 për qind, pra çdo vit nga 10 për qind. Për vitin 2018 gjithçka është miratuar në buxhet, ndërsa paga e re do të nisë që në muajin korrik”,- na gënjente Ministrja në çdo takim. Po korriku e gushti ikën me vapën e madhe, ndërsa për rritjen e pagës nuk u kujtua askush. Aq më pak ministrja.
Tashmë ajo duhet të na tregojë ndonjë të vërtetë nga thesi I madh I saj I gënjeshtrave. “Sepse jemi të përmbytur nga gënjeshtrat e saj, ndaj duam të shpëtojmë veten tonë”,- thonë mësuesit. Sipas tyre, budallallëqet duket haptazi se e kanë mbuluar gjithë arsimin. Budallallëqe që nuk eliminohen as me portale “mësues për Shqipërinë”, as me testime, apo blerje kreditesh, siç po ndodh edhe tani. Sepse mësuesit paguajnë si frengu pulën sa herë u kërkohet të kryejnë konsulta për efekt kreditesh. Për dy orë duhet të paguajnë 1000 lekë. Po buxheti I Ministrisë për çfarë shërben ? Sepse mësuesit paguajnë nga xhepi I tyre për regjistrin e notave, për pak bazë materiale për mësimin, për blerjen e topave për të zhvilluar orët e fiskulturës etj, etj.
Është bash kjo arsyeja që shqiptarët gjithnjë e më shumë vëmendjen e kanë përqendruar te dërgimi i fëmijëve të tyre për studime jashtë vendit. Këtë e bëjnë kollaj oligarkët dhe palo politikanët tanë. Ndërsa të varfrit që janë shumica në këtë vend detyrohen të marrin kredi për dërgimin e fëmijëve jashtë vendit. Aq sa këtë vit shkollor më shumë se një e treta e maturantëve ia kanë mësyrë universiteteve të huaja. Duket sikur asnjë nuk ka besim të universitetet tona.
Në gjendjen ku ka rënë arsimi gjithçka të flasësh duket groteske dhe tragjike njëherësh. Pasi vazhdon pa ndërprerje portali “mësues për Shqipërinë”. Bile ka mësues që kanë hyrë disa herë në të tilla portale për të rritur shkallën më të lartë. Po ende janë jashtë. Kjo ka bërë që tashmë janë jo të paktë mësuesit që e vlerësojnë arsimin si sektori ku politika e qelbur albaneze e ka më të lehtë të lajë m…tin me sh…rrë. Këtë e tregon edhe çfarë mësuan sot mësuesit e shkretë që vlerësohen si skllevërit e fundit të këtij fillim shekulli. Po pavarësisht si I vlerësojnë të tjerët Ministrja e Arsimit duhet urgjent t’u tregojë të vërtetën mësuesve. Pasi nesër mund të sëmuren dhe të mbeten në dyert e spitalit krejtësisht të braktisur. Apo mund të dalë në pension dhe do të tmerrohet kur t’i thonë: ke punuar vetëm në të zezë, ndaj të takon vetëm një pension minimal sa të mos të të dalë as për kafen e mëngjesit.
Ministre! Nisë ditën sot me shpjegimin se, cila është e vërteta?