Modelet e bizneseve shqiptare duhet të ndryshojnë duke përqafuar procesin e dixhitalizimit si kusht për të qenë të përgatitur për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
President i Dhomave Europiane të Tregtisë Christoph Reidmann thekson se dixhitalizmi është tejet i rëndësishëm për kompanitë në mënyrë që vendet e BE-së të qëndrojnë në vendin e parë në ekonominë globale.
“Dixhitalizmi është projekt madhor që do të ndryshojë modelet e bizneseve. Çfarëdolloj gjëje që po bëjmë duhet ti diskutojmë me kompanitë tona anëtare dhe ti shoqërojmë këto kompani me ndryshimet. Ne hapim vende të reja pune, u japim të rinjve një këndvështrim të gjallë dhe reduktojmë papunësinë, prandaj kërkojmë dhoma të konsoliduara. Ju sigurojmë që ne duam që të gjitha vendet e Ballkanit të integrohen në Bashkimin Europian, dhe për këtë ata duhet të kenë asistencë për tu përgatitur. Viti 2025 do të vijë shumë shpejt, dhe nëse s’jemi gati, BE do të vijë këtu dhe do të thonë nuk jeni gat5i dhe duhet ta shtyjmë për 2030-ën, por ne nuk e duam këtë”.
Ndërsa ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Sonila Qato theksoi se dixhitalizmi për kompanitë e mëdha, të mesme e të vogla është domosdoshmëri për fuqizimin e tyre dhe rritjen e konkurrueshmërisë.
Takimi mes dhomave të tregtisë së Bashkimit Europian, të Ballkanit dhe Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë ka prodhuar propozime konkrete se si mund t’u vijnë në ndihmë bizneseve për ti bërë ato që të funksionojnë më me lehtësi.