Pak javë pas publikimit të audiopërgjimit mes nënkryetarit të KQZ-së, Denar Biba, dhe gjyqtarit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, Ledio Bianku, prokuroria vendos të thërrasë për të marrë në pyetje dy protagonistët.
Prokuroria e Tiranës vendos të thërrasë si për të marrë në pyetje gjyqtarin shqiptar në Strasburg, Ledio Bianku, dhe nenkryetarin e KQZ-së Denar Biba.
Grupi hetimor do të kërkojë prej tyre sqarime në lidhje me bisedën e përgjuar, e cila u bë publike javët e fundit ku flitet për gjyqet e ish-pronarëve me qeverinë shqiptare në Strasburg.
Burime nga prokuroria bëjnë të ditur se Bibën dhe Biankun janë lëshuar fletë-thirrjet përkatëse, në funksion të hetimit të nisur në fund të muajit gusht, pas publikimit të një audio-përgjimi të bisedës që Denar Biba dhe Ledio Bianku kishin zhvilluar në ambientet e kafenesë së gjykatës së Strasburgut.
Pas këtij publikimi opozita akuzoi mazhorancën se nëpërmjet Bibes i kanë bërë shantazh gjyqtarit të Strasburgut Ledio Bianku, në mënyrë që ai të ndikonte për miratimin e kërkesës së qeverisë shqiptare për të pezulluar përkohësisht dhënien e vendimeve për çështjen e pronave për Shqipërinë, derisa ligji i ri për kompensimin e pronave të fillonte implementimin e tij.
I pyetur nga Ora News, vetë Denar Biba ka bërë me dije se nuk ka marrë ende një njoftim për tu paraqitur në prokurori, por në moment që do të marrë një njoftim të tillë ai do të paraqitet për të dhënë shpjegime.
Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.
20 ditë pas nisjes së këtij hetimi, prokuroria e Tiranës ende nuk ka versionin origjinal të bisedës së përgjuar Biba-Bianku, por vetëm atë pjesë që është publikuar në media, e cila i kishte mbërritur redaksisë se një media online nëpërmjet e-mailit.