Mbi 52 gr kokainë është sekuestruar në një lokal në fshatin Libonik, Maliq. Policia e Korçës ka vënë në pranga 35 vjeçarin Ervis Bode.
Lënda narkotike u gjet gjatë kontrollit në çantën e tij personale. Nga policia lokale është bërë me dije se do të vijojnë kontrollet nëpër lokale dhe ambjente të ndryshme për të gjetur drogë.
Komisariati i Policisë Maliq
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, kanë vijuar me kontrolle si rezultat i të cilave, mbrëmjen e djeshme në një lokal, në fshatin Libonik, Maliq, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. B., 35 vjeç, banues në Korçë. Pasi gjatë kontrollit të çantës së tij personale, iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale 52.6 gr lëndë e dyshuar narkotike e llojit Kokainë. Veprimet e mëtejshme proceduriale u kryen nga specialistët e Seksionit për Narkotikët në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale "Prodhimi e shitja e narkotikëve" parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.