Raporti i publikuar së fundmi nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, agjencia për ushqim dhe agro-bujqësi, që i referohet gjendjes së ushqimit nëpër botë për 2018, nxjerr në pah të dhëna tejet alarmante.
Një ndër to është numri i shqiptarëve të paushqyer.
Sipas këtij raporti, ky numër është dyfishuar në harkun e një viti.
Aktualisht, OKB vlerëson se numri i shqiptarëve të paushqyer fiksohet në rreth 200 mijë të tillë, nga rreth 100 mijë që vlerësonte në raportin e kaluar.
Gjithsesi, raporti tregon se prevalenca e atyre të paushqyer mbi totalin e popullsisë në vendin tonë fiksohet në 5.5%. Kjo është norma më e lartë në rajon pas Serbisë, me 5.6%, raporton "scan".
Kështu, rezulton se, në Europë, Shqipëria është e dyta pas Serbisë për përqindjen e popullsisë së paushqyer.
Si për ironi të fatit, ndërkohë që numri i atyre të cilët nuk kanë me çfarë të ushqehen është rritur ndjeshëm, po ashtu është rritur edhe numri i shqiptarëve të rritur, mbi 18 vjeç, të vuajnë obezitetin.
Këta të fundit vlerësohen të zënë 22.3% të popullsisë së rritur në të dhënat e vitit 2016, ose rreth 500 mijë sipas raportit, nga rreth 400 mijë të vitit 2014.