Pak ofertë dhe shumë kërkesë. Shtatori shënon lëvizjen në segmentin e qiradhënies në tregun e pasurive të paluajtshme në kryeqytet. Flukset e studentëve, veçanërisht atyre të huaj, ushtrojnë presion në kërkesën për apartamente me qira në Tiranë. Sipas agjencive kryesore në vend, aktualisht, tregu i pasurive ka rritje të kërkesës për apartamente, ndërsa oferta është e ulët.
Çdo vit, në Shqipëri vijnë mesatarisht 200-300 studentë të huaj, kryesisht italianë, të cilët kërkojnë apartamente në zonat më të lakuara të Tiranës, thotë inxhiniere Xheni Jahja nga Tirana Real Estate. Sipas saj zonat më të kërkuara prej të huajve janë Njësia 5 dhe Njësia 10. Të huajt janë të interesuar për apartamente që ndodhen në zona ku jeta pas shkollës është e larmishme. Ndër to zonat më të kërkuara edhe për këtë vit mbeten ish- Blloku, zona e Myslym Shyrit, Rruga e Kavajës, Don Bosko (që është pranë shkollave që janë të regjistruar).
Çmimet e qirave luhaten nga 300-400 euro për sipërfaqe të vogla banimi, deri në 600 euro për ata që kërkojnë sipërfaqe më të mëdha.
Ndërsa studentët italianë kërkojnë qendrën, studentët shqiptarë të rretheve janë ata që bëjnë kompromis që për shkak të buxhetit të kufizuar dhe shkojnë drejt zonave më periferike. Qiratë mesatare të banesave që jepen për student variojnë nga 200-300 euro.
Ndërkohë që tashmë ka nisur edhe një tendencë e re, nga pronarët qiradhënës të ambienteve të mëdha, të cilët përshtatin ambientet e mëdha për disa studentë.
Pak ofertë dhe shumë kërkesë
“Nëse dy- tre vite më parë në muajin shtator listoheshin mbi 200 apartamente të reja për t’u dhënë me qira për banim, aktualisht oferta është shumë e ulët, pa kaluar një numër dyshifror”, -tregon Jahja.
Sipas agjencive kryesore në treg vihet re se ka stabilitet në segmentin e qiradhënies në vend, qiramarrës me kontrata me periudhë 2-3 vjeçare.
Genci Zika, nga agjencia Devinf, argumenton se kjo reflekton një stabilitet në tregun e qiradhënies në vend, ndërsa çmimet për zonat rreth qendrës shkojnë në 350-400 euro për apartamentet 1+1 dhe 500 euro për apartamentet 2+1. Por, rritja e kërkesës, në një kohë që oferta është e ulët, pritet që të ushtrojë presion për shtrenjtimin e qirave në kryeqytet. MAPO