Safet Bajri njeh sot vendimin e Belgjikës, sekuestro pronave

Saturday, 22 September 2018 09:47

Një nga emrat më të përfolur të botës së krimit është arrestuar dje në Tiranë. Bëhet fjalë për Safet Bajrin. Sot Bajri pritet të njihet me vendimin e dhënë në Belgjikë, vend ku akuzohet si kreu i një organizate kriminale.

Shkodrani akuzohet për trafik droge e prostitucion nga autoritetet belge. Për këto akuza ai është dënuar nga Apeli në Brukse me 9 vite burgim.

Ndërkaq në Shqipëri Safet Bajri akuzohet për trafik droge, vrasje, gjobëvënie e shantazh. Mësohet se Bajrit i janë sekuestruar një sërë pronash në Shqipëri.

Ndërkaq mësohet se urdhër-arreste janë dhënë dhe për disa persona të tjerë në Tiranë dhe Shkodër. Safet Bajri u arrestua dje nga Forcat Operacionale të Policisë së Tiranës.

Ai u ndalua në ambientet e një magazine në zonën e “Xhamllikut”, në kryeqytet, ndërsa burimet thanë se mbante edhe një armë pa leje. Arrestimi i 34-vjeçarit u krye në kuadër të një procedimi penal të nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, prej afro një viti, pas dyshimeve për përfshirjen e tij apo drejtimin e një organizate kriminale të trafikut të lëndëve narkotike.

Nga ana tjetër, ai figuronte në listën e personave më të kërkuar të Belgjikës, i dënuar me 9 vjet burg si kreu i një bande kriminale, që përpiqej të kontrollonte trafikun e drogës në Bruksel.

Login to post comments