Ajo që po ndodh në Prokurorinë e Përgjithshme nuk është asgjë më shumë sesa fundi qesharak, i një paralajmërimi që ishte bërë në mënyre tragjike. Kur në vjeshtën e vitit që shkoi shumica socialiste hodhi për herë të parë idenë, menjëherë sapo kishte plasur skandali i Saimir Tahirit, se ata do ta zgjidhnin vetëm me votat e tyre shefin e institucionit të akuzës, në publik u krijua një paragjykim i madh: ata po kërkonin të kapnin prokurorinë.
Kundër këtyre akuzave përfaqësuesit e PS u mbrojtën me tre argumenta. prokurorja e re do të qëndronte vetëm pak kohë në detyrë (e shumta dy tre muaj), ajo nuk rrezikonte të dëmtonte dosjen Tahiri, se si e përkohëshme e kishte të ndaluar të pezullonte apo të lëvizte prokurorët, se ajo do të qe në post vetëm për të mbushur një boshllëk kalimtar kushtetues.
Këtyre arsyetimeve opozita iu përgjigj me pretendime 180 gradë të ndryshme. PD-ja tha se prokurorët e çështjes Tahiri, ata që u linçuan publikisht nga Rama dhe mediat pranë tij, do të shmangeshin nga kjo dosje, se Arta Marku nuk do të shkulej nga ajo zyrë për një kohë të gjatë dhe se ajo do ti shkatërronte të gjitha dosjet që e shqetësonin qeverinë.
Sot 9 muaj më pas është e lehtë të bësh bilancin se kush gënjeu. Me qëllim apo “rastësisht” znj. Marku u soll fiks siç kisin paralajmëruar ata që e kundërshtonin emërimin e saj vetëm me votat e PS.
Dhe rasti më ilustrues për këtë është çështja e Saimir Tahirit.
Sapo mori detyrën Arta Marku lejoi një dëshmitar vendimtar, financierin e bandës së Habilajve, Nazer Seitin, që ti shpëtonte prokurorëve të dosjes tahiri duke u ekstraduar në mënyrë të paligjshme në Itali edhe pse prokuroria shqiptare po e hetonte atë në lidhje me çështjen Tahiri-Habilaj.
Por nëse, Hajdarmataj i cili tashme qe sulmuar egërsisht nga mazhoranca u ndëshkua me zbritje në detyrë, partnerja e tij në dosjen Tahiri, Elisabeta Imeraj , u hoq qafe me ngritje. Ajo u emërua prokurore e Tiranës. Dhe tani së fundi, kur institucioni i prokurorisë i drejtuar përkohësisht prej saj, është shndërruar në një bordello ku gra me funde dhe burra me pantallona, kapen për flokësh dhe zihen me grushte, ajo përfitoi nga procesi i Shullazit për të zhdukur të gjithë prokurorët që fillimisht hetuan Tahirin./ Lapsi.al