Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të lëshojë në dy ditët e ardhshme urdhër arresti për ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla.
Një burim i besuar nga prokuroria u shpreh se prokurorët janë prej ditësh nën presion të jashtëzakonshëm politik, përfshi kërcënimin për moskalimin e vetingut, nga qeveria dhe një përfaqësi e huaj në Tiranë për të arrestuar me çdo kusht Llallën. Presioni është bërë intensiv dy ditët e fundit me kërkesën që arrestimi duhet të bëhet para vizitës, ditën e martë, të komisionerëve europianë Mogherini dhe Hahn. Nën këtë presion, edhe pse nuk kanë prova të arsyeshme, prokurorët janë dorëzuar dhe pritet lëshimi i urdhër arrestit.
Prej të paktën pesë javësh, Prokuroria e Durrësit ka zhvilluar verifikime dhe hetime në lidhje me të shkuarën e Adriatik Llallës. Këto hetime u përqendruan fillimisht në dy drejtime: në disa shitblerje tokash dhe në një gjobë të marrë në një aeroport gjerman për mosdeklarim të parasë në dorë mbi limitin e detyrueshëm për deklarim gjatë udhëtimit të zhvendosjes së familjes së tij në Gjermani para rreth dy vjetësh.
Së fundmi, prokurorët e Durrësit kanë ricikluar edhe një akuzë të para disa viteve për transferimin e një prokurori nga Tiranë në Shkodër, në mes të një hetimi ndaj një krimineli i cili edhe pas ndryshimit të prokurorit u dënua me 15 vjet burg.
Megjithatë, për asnjë nga këto pista hetimi nuk prokurorët nuk zbuluan dot prova të mjaftueshme që të mund të justifikoni hetime zyrtare. Por nën presionin të vazhdueshëm politik, Prokuroria e Durrësit regjistroi para rreth tre javësh një hetim formal ndaj Llallës, për të cilin nuk është njoftuar dhe nuk është thirrur në pyetje asnjëherë vetë Adriatik Llalla, duke e bërë çdo veprim në fshehtësi të plotë. /syri.net/