Arkeologët në Portugali kanë zbuluar mbetjet e një anije të mbytur 400 vjeçare, që dikur ka lundruar në rrugën tregtare të erëzave midis Europës dhe Indisë. E gjendur 12 metra nën sipërfaqen e ujit, anija është rreth 100 metra e gjatë dhe 50 metra e gjerë. Ekspertët e kanë zbuluar pranë portit të peshkimit të Cascais, rreth 15 milje në perëndim të Lisbonës.
Zbulimi do të hedhë dritë mbi të kaluarën tregtare të Portugalisë dhe portin e Cascais-it, tha Jorge Freire, një arkeolog detar dhe drejtor shkencor i studimit arkeologjik nënujor.
Mes mbetjeve arkeologët kanë zbuluar fragmente porcelani kinez dhe top bronzi.
“Ne nuk e dimë emrin e anijes, por është një anije portugeze nga fundi i shekullit të 16-të ose të fillimit të shekullit të 17-të”, tha Freire, duke shtuar se ekipi kishte mundur të jepte një datë të përafërt të përmbytjes, pasi stema portugeze dhe porcelani i përkisnin periudhës Wanli (1573-1619).
Pjesët e gjetura do të shqyrtohen nga drejtoria e përgjithshme e qeverisë portugeze për trashëgiminë kulturore.
Kryebashkiaku i Cascais, Carlos Carreiras, e përshkroi zbulimin si një nga zbulimet arkeologjike më të rëndësishme të dekadës së kaluar.
“Është një zbulim i jashtëzakonshëm që na lejon të dimë më shumë për historinë tonë, përforcimin e identitetit tonë kolektiv dhe vlerave të përbashkëta”, tha Carreiras.
Zbulimi vjen 24 vjet pasi ekspertët gjetën rrënojat e Nossa Senhora dos Mártires (Zoja e Martirëve), të cilat gjithashtu lundruan rrugën e erëzave dhe u fundosën në Lisbonë më 1606.
E.Z/SCAN