Kryetari i Dhomës së Llogarive të Ukrainës një vizitë zyrtare në Shqipëri, ja kë takoi

Premte, 28 September 2018 17:00

Në datën 28 shtator 2018, një delegacion i Zyrës së Llogarive të Ukrainës i kryesuar nga Kryetari i saj, z. Valeriy Patskan zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri. Vizita vjen në vazhdën e bashkëpunimit të frytshëm midis dy institucioneve dhe të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar nga Kryetarët Bujar Leskaj dhe Valeriy Patskan, në datën 15 qershor 2018, në Kiev.

Vizitën e tij në Shqipëri, z.Patskan e filloi me takimin me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z.Gramoz Ruçi. Gjatë takimit me z.Ruci u evidentuan lidhjet historike mes Shqipërisë dhe Ukrainës dhe u theksua që kjo është vizita e rangut më të lartë që zhvillohet në Shqipëri nga zyrtarë e Ukrainës, duke e vlerësuar si një shenjë të mirë për vizita të tjera të rangut edhe më të lartë.

Më pas u realizua takimi zyrtar në KLSH, në të cilin Kryetari i KLSH-së, z. Leskaj bëri një prezantim të aktivitetit të KLSH për vitin 2017 dhe gjashtë mujorin e parë të vitit 2018, në të cilin vuri theksin tek treguesit e auditimeve të vitit 2017 dhe 2018, si për numrin e auditimeve të realizuara, dëmin ekonomik të konstatuar, të ardhurat e munguara dhe shpenzimet e kryera jo në përputhje me parimet e efektivitetit, eficiencës dhe ekonomicitetit (3E), masat disiplinore dhe administrative të rekomanduara, rekomandime për ndryshime apo përmirësime të legjislacionit, etj.

Kryetari Leskaj tha se veprimtaria e KLSH-së bazohet në 4 nene të Kushtetutës  dhe në Ligjin 154/2014  dt. 26 Nëntor “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”.

Metodologjia e përdorur në matjen e performancës së KLSH për vitin 2017, u bazua në sistemin e vetëvlerësimit dhe i mundësoi KLSH parashikueshmërinë e zhvillimit  strategjik të mbështetur në rezultate konkrete të analizave, të identifikojë aspektet e zhvillimit dhe të përcaktojë mundësitë e përmirësimit, monitorojë veprimtarinë e institucionit me qëllim rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë.

Zoti Leskaj vuri në dukje dhe analizoi disa tregues që lidhen me performancën e KLSH-së për vitin 2017: Indikatori i dobisë së auditimit, si një nga treguesit më domethënës të performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit, për vitin 2017 rezulton se për çdo një lek të shpenzuar për institucionin e KLSH-së janë zbuluar dhe kërkuar për t’u zhdëmtuar 31.9 lekë.  Dëmi ekonomik në shumën totale prej 11.5 miliard lekë ose 85.8 milionë euro; 156 auditime të realizuara, llojet e tyre, si edhe subjektet në të cilat janë kryer auditimet.  Për vitin 2017, KLSH realizoi 5 auditime IT,  nga 2 të realizuara në 2016.

Gjatë vitit 2017 KLSH ka rekomanduar gjithsej 91 propozime për ndryshim/përmirësim legjislacioni, nga të cilat janë pranuar dhe janë në proces zbatimi 29 rekomandime.  Në vitin 2017 KLSH ka propozuar 2082 rekomandime, të cilat synojnë përmirësimin e sistemeve organizative të enteve të audituara.

Marrëdhëniet e mira të KLSH-së me parlamentin, dërgimin e raporteve sensitive të auditimit në Kuvendin e Shqipërisë dhe në Komisionet respektive, si edhe mbështetjen e Kuvendit për institucionin.

Një rëndësi të veçantë, Kryetari i KLSH-së gjatë fjalës së tij i vuri hapjes së institucionit dhe rritjes së transparencës së veprimtarisë së tij, nëpërmjet publikimit të të gjitha vendimeve të auditimit, realizimit të muajit të hapur për qytetarët, shkrimeve të audituesve të KLSH-së në media, botimeve të librave, konferencat shkencore, etj.

Kryetari i Dhomës së Llogarive të Ukrainës falënderoi Kryetarin e KLSH-së për organizimin e kësaj vizite dhe shprehu bindjen qe këto marrëdhënie do të forcohen edhe më shumë në të ardhmen. Zoti Patskan falënderoi veçanërisht Kryetarin Leskaj për organizimin vitin e ardhshëm nga KLSH të takimit të Grupit të Punës së EUROSAI-t për auditimin e fondeve të alokuara për fatkeqësitë dhe katastrofat natyrore dhe theksoi se në kuadër të këtij bashkëpunimi do të organizohet një auditim ndërkombëtar, duke e ftuar KLSH-në të bëhet pjesë e tij. Auditimi do të përqëndrohet në dy drejtime kryesore, atë të parandalimit të përmbytjeve dhe të katastrofave natyrore.

Zoti Patskan vlerësoi shumë hapat e bërë nga KLSH në drejtim të auditimit të performancës dhe të IT dhe përfundoi fjalën e tij duke thënë ...” kur hyra në institucionin Tuaj u ndjeva sikur po hyja në shtëpinë e një miku, megjithëse është hera e parë që vij në Shqipëri. Duke ndjekur me vëmendje prezantimin e Kryetarit Leskaj, mendoj që periudha e drejtuar prej tij do të mbahet mend si një nga më të suksesshmet në historinë e institucionit....”.

Në këtë vizitë Kryetari Patskan shoqërohej nga Znj.Iryna Ivanova – Anëtare e Zyrës së Auditimit të Ukrainës, Z. Igor Iaremchuk – Anëtar i Zyrës së Auditimit të Ukrainës, Z. Mykhailo Tolstanov–Drejtor i Departamentit të Marrëdhënieve  Ndërkombëtare.

Gjatë takimit u shkëmbyen mendime dhe pyetje, lidhur me auditimin e performancës, auditimin IT, muajin e transparencës për qytetarët, grupet e përbashkëta të punës, etj.

Në fund të dy drejtuesit realizuan një takim kokë më kokë, në të cilin u diskutuan çështje të rëndësishme për bashkëpunimin e ardhshëm institucional.

Login to post comments