Me një çmim prej 75 mijë dollarësh nata, Mark Hotel në New York ofron tashmë suitën më të shtrenjtë në Shtetet e Bashkuara.
Vetë godina e ngritur në vitin 1927, u rinovua tërësisht nga viti 2006 deri në vitin 2009. Pjesa e jashtme historike nuk u ndryshua, por punimet e brendshme u zëvendësuan tërësisht dhe u dizajnuan nga arkitekti me famë Jacques Grange.
Suita ndodhet në katin e 16-të dhe 17-të, me një hapësirë prej rreth 930 metrash katrorë dhe ofron pesë dhoma gjumi, katër oxhaqe, gjashtë tualetet, si dhe dy bare. Dhoma e ndenjes është 8 metra e lartë dhe është mjaftueshëm e madhe për t’u kthyer në një dhomë ballosh. Ndërsa tarraca 230 metra katrorë ka një pamje nga Central Park.
Kjo është hera e parë që suita ofrohet nga hoteli, për shkak se më parë ajo ishte marrë me qira si apartament nga një familje e pasur.
I pyetur për çmimin prej 75 mijë dollarësh, menaxheri i hotelit, Olivier Lordonnois shpjegoi se vjen si pasojë e konkurrencës, ku hotele të tjera ofrojnë suita me 40-64 mijë dollarë nata, me vetëm gjysmën e hapësirës së ofruar.
Bashkë me çmimin, dhoma ofron shërbim në dhomë në çdo kohë nga një prej shefat më të mirë të kuzhinës, Jean-Gorges; lustrim këpucësh; biçikleta falas; taksi biçikletë; si dhe një jaht 21 metra të gjatë.
“Ne kemi krerë shteti, biznesmenë shumë të pasur, si dhe njerëz të famshëm që e rezervojnë këtë hapësirë. Atyre nuk u intereson se kanë një Bentley në dispozicionin e tyre 24 orë në ditë, pasi ata kanë motorkadën e tyre”, deklaron menaxheri.
Për këtë arsye hoteli përpiqet të ofrojë shërbime të veçanta të personalizuara për klientin. Kështu, nëse dikush ka qejf yjet, hoteli vendos një teleskop në tarracë. Në raste të tjera ato mund t’i ofrojnë klientëve një shishe të rralë vere, apo një shishe sake.
Çmimi i lartë i suitës ka dhe një favor tjetër për hotelin, pasi rrit shitjet. Diçka e tillë nuk do të ndodhte nëse do ta kishin ndarë hapësirën në disa dhoma më të vogla. Aktualisht, suita 75 mijë dollarëshe qëndron e rezervuar pothuajse gjysmën e kohës.