Të shtunën, më 29 shtator, u inagurua Dojo i ri i Aikido Albania, në praninë e Ambasadorit të Japonisë në Shqipëri, Shkëlqesisë së tij Z. Makoto Ito.
Ambasadori i Japonisë Z. Ito, përgëzoi hapjen e Dojo-s dhe vazhdimësinë në praktikimin e artit marcial japonez vetë-mbrojtës Aikido, i cili vlen gjithashtu dhe si një vend për dashamirësit e kulturës Japoneze në Shqipëri dhe ofroi një Certifikatë Vlerësimi për Aikido Albania.
Ai foli rreth filozofisë së këtij arti marcial, duke shpjeguar shkurtimisht kuptimin e emrit: Ai-harmoni, Ki-energji dhe Do-rrugë, pra rruga e harmonisë së shpirtit dhe shpjegoi se si praktika e tij përqëndrohet në përdorimin e forcës së kundërshtarit dhe jo në inicimin e konfliktit dhe agresionit.
Drejtoresha e Aikido Albania, Gentiana Susaj, Shodan (Dan i parë, rrip i zi në Aikido), ju dha mirëseardhjen 70 pjesëmarrësve në ambjentin e ri të Dojos, afër Parkut të Tiranës, dhe e cilësoi këtë art marcial si një nga thesaret që Japonia i ka dhuruar botës, duke qenë i ndërtuar mbi shekuj traditash të arteve marciale dhe për mënyren bashkëkohore me të cilën sjell mësimin, i cili mund të konsiderohet radikal në zgjidhjen e konfliktit: paqe dhe jo dhunë.
“Kjo është diçka që duhet të përdorim në Shqipëri, në vend të dhunës, për zgjidhjen e konflikteve; Aikido mund të kontribuojë në shoqërinë tonë duke ofruar respekt dhe mbrojtje për veten dhe sulmuesin.“, u shpreh Znj. Susaj.
Në Dojo, së bashku me Aikidon, mësohen dhe displina të tjera lindore si Yoga, Meditim dhe Reiki. "