Nga Dalip Greca
- Qeveria Shqiptare nuk mund ta anashkalojë Diasporën Shqiptare të Amerikës dhe nuk mund t'i marrë fshehurazi eshtrat e Apostullit të Shqiptarizmit, Mithat Frashërit.
- Derisa Qeveria e cilëson në Vendimin e saj "Personalitet i Shquar i Letrave Shqipe dhe Kulturës Mbarëkombëtare", emri dhe busti i tij do t'i bënin nder cdo institucioni të Kulturës Kombëtare-
- Mos vallë Mithat Frashëri do të pësojë fatin e Faik Konicës, që e kthyen triumfalisht, por më pas e braktisën, e shkarravitën, e zhgrryen... e nxinë ?
Me 30 Shtator 2018, në orën 11 paradite u përkujtua në 69 vjetorin e vdekjes, Mithat Frashëri, - ikona e Shqiptarizmit,shkrimtari,diplomati,përkthyesi,politikani,intelektuali,që mbi gjithcka vuri inetersat e Atdheut.
Takimi përkujtimor si për cdo përvjetor Lindjeje apo Vdekjeje u organizua pranë varrit të tij, që ndodhet në Ferncliff Cemetery, ne Westchester County, New York, në adresën: 280 Secor Rd, Hartsdale, NY 10530.
Drejtuesi i veprimtarisë përkujtimore z. Pëllumb Lamaj, pas Hymnit Kombëtar, ka kërkuar që të mbahet 1 minut heshtje në nderim të Apostullit të Shqiptarizmit Mithat Frashërit.
Ai ka vlerësuar figurën shumëdimensionale të Mithat Frashërit, duke folur për kontributin e tij ndaj kombit si diplomat, burrë shteti, si politikan, si personalitetit i Kulturës, si Kryetar në Kongresin e Manastirit, si ambasador i Kosovës dhe Camërisë etj.
-E përkujtojmë Mithat Frashërin, tha z. Lamaj, në këtë përvjetor të vdekjes, dhe do ta përkujtojmë gjithmonë edhe pse Qeveria shqiptare ka marrë vendimin për t'ia kthyer eshtrat në Shqipëri. Ne nuk na ndalon kush që të vijmë këtu dhe ta nderojmë njeriun që mbi gjithka deshi dhe luftoi për Kombin e vet.
Z. Lamaj shprehu indinjatën për heshtjen që po mbanë Qeveria Shqiptare për procedurat e trasferimit të eshtrave të këtij personaliteti të shquar të Kombit Shqiptar dhe duket se po e bën për interesa të ngushta. Ai kritikoi heshtjen e qeverisë shqiptare për procedurat e trasferimit dhe rolin që do të ketë diaspora... Druaj, tha z. Pëllumb lamaj, se Mithat Frashëri po kthehet gjysëm ilegal, po ndahet diplomati, personaliteti i shquar Letrave shqipe, nga Atdhetari dhe politikani. Kam frikë, komentoi ai se Mithat Frashëri do të pësojë fatin e Faik Konicës, që e kthyen triumfalisht, por më pas e braktisën, e shkarravitën, e zhgrryen...
Si mund të kthehet Mithat Frashëri vetëm duke i trasferuar eshtrat, ndërkohë që në vendimin e qeverisë nuk ka as një të dhënë se cilit institucioni do t'i vihet emri i tij, cilës rrugë-ndërkohë që rrugët e kryeqytetit ende mbajnë emra atentatorësh e kriminelësh ordinerë...Mithat Frashëri ia dhuroi shtetit shqiptar thesarin e tij, Bibiliotekën, cfarë i dha shteti shqiptar si kompensim?!
Edhe Kryetari i Vatrës, Dritan Mishto, tek nderoi figurën e Mithat Frashërin, foli për përmasat e shërbimeve të tij Kombëtare, dhe evidentoi piktakimet e Vatrës me personalitetin e shquar, kërkoi që komuniteti të bëhet pjesë e përcjelljes, si shenjë nderimi për personalitetin e lartë. Është një përvojë, theksoi Mishto, ajo e kohës kur shqiptarët e Amerikës e Amerikës përcollën Faik Konicën në Tiranë (1995).
Për figurën e Mithat Frashërit folën dhe shprehën nderimin e tyre edhe : Zef Balaj, anëtar i kryesisë së Vatrës, Haxhi Dauti-Kryetar i Këshillit Shqiptaro-Amerikan, Marjan Cubi-Kryetar i Qendrës "Nënë Tereza" dhe anëtar i Kryesisë së Vatrës, Profesori Ilir Hysa, ish nënkryetari i Vatrës Asllan Bushati, Tom Shkreli, ish kryetar i Fondacionit Dom Simon Filipaj, gazetari Robert Papa, editori i Diellit Dalip Greca, Kalosh Sela. etj.
Pjesmarrësit debatuan rerth vendimit që qeverisë dhe ishin në një mendje se: Mithat Frashëri nuk mund të merret fshehurazi, duke anashkaluar komunitetin shqiptar, i cili do ta përcjellë sic e meriton atdhetarin e shquar. Nëse qeveria dhe shërbimi diplomatik shqiptar që është ngarkuar për të kryer veprimet nuk do t'na bëjnë pjesë të përcjelljes së eshtrave të ikonës që ka mbajtë gjallë atdhetarizmin në SHBA, ne do të dijmë të bëhemi vetë pjesë dhe do ta nderojmë në mënyrën tonë Mithat Frashërin.