Kredia për biznesin ra më rreth 4 për qind në fund të gushtit 2018, por një anketim i Bankës së Shqipërisë në 1,305 biznese hedh dritë më shumë për arsyet e vërteta të kësaj rënie.
Ndërmarrjet që nuk kanë aplikuar për hua, në shumicën e rasteve, pohojnë se nuk e kanë të nevojshme për veprimtarinë që kryejnë, dhe kjo peshë rezulton më e lartë tek ndërmarrjet e mëdha.
Anketa e bankës E zhvilluar për 6-mujorin e parë të vitit për gjendjen financiare të bizneseve gjeti se 73.5 për qind e bizneseve të mëdha pohuan se nuk e kanë të nevojshme kredinë për aktivitetin e tyre.
Një vit më parë në të njëjtën periudhe kjo përqindje ishte edhe më e lartë. Gjithashtu mbi 62 për qind të ndërmarrjeve të vogla dhe mesme vlerësuan se nuk e kanë të nevojshme kredinë në aktivitetin e tyre.
Pjesa tjetër e ndërmarrjeve kanë vendosur të mos aplikojnë, për shkak se si procesi u duket i vështirë dhe kjo pohohet më shpesh nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Për këtë gjashtëmujor, vërehet një rënie e peshës së përgjigjeve të ndërmarrjeve që pohojnë se nuk e kanë të nevojshme huamarrjen për veprimtarinë që kryejnë dhe një rritje e peshës së atyre që e konsiderojnë atë një proces të vështirë ose që pohojnë se e kanë më të lehtë të marrin hua nga burime alternative.
Të pyetur se si do të vepronin nëse nuk do të financoheshin nga bankat, pjesa kryesore e ndërmarrjeve të vogla (48.8%) dhe atyre të mesme (39.5%) pohojnë se do të merrnin hua nga burime alternative, ndërkohë që pjesa kryesore e ndërmarrjeve të mëdha (39.6%) raportojnë se do të riaplikonin në një bankë apo institucion tjetër financiar.
Krahasuar me rezultatet e vrojtimit të kaluar, duket se përqindja e ndërmarrjeve që pohojnë se do t’i shtyjnë në kohë planet e tyre për zgjerim, ka qenë në rritje, për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe në rënie për ato të mëdha.
Indeksi i vështirësisë së procesit të huamarrjes nga bankat, për gjashtëmujorin e parë 2018, vijon të mbetet midis nivelit “normal” dhe “të vështirë”, për të tre grupet e ndërmarrjeve. Krahasuar me gjashtëmujorin e dytë 2017, indeksi mbetet në nivele të ngjashme, por me një prirje të lehtë rënëse.
Indeksi i rëndësisë së marrëdhënies me bankat, ka vijuar të vlerësohet midis nivelit “e rëndësishme” dhe “e domosdoshme”, për të tre grupet e ndërmarrjeve. Gjithsesi, rëndësia e marrëdhënies me bankat për ecurinë e veprimtarisë, për këtë gjashtëmujor, është vlerësuar në rënie për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërkohë që ndërmarrjet e mëdha shprehen për një rritje të rëndësisë së kësaj marrëdhënieje.
Kosto e kredisë vijon të konsiderohet si elementi kryesor që vështirëson përfitimin e një huaje bankare, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Në vijim të kostos së kredisë, për të tre grupet e ndërmarrjeve, edhe kosto e plotësimit të kërkesave të bankës vijon të konsiderohet një vështirësi e konsiderueshme, ndjekur nga vlerësimi për kushtet për garantimin e kredisë dhe paqartësia e kërkesave të bankës apo procedurat burokratike. Sidoqoftë, edhe për këto të fundit, ndërmarrjet e vogla dhe ato të mëdha japin vlerësime në rënie, duke shprehur përmirësim për periudhën e analizuar, në krahasim me atë paraardhëse.