Sulmuesi i Napolit, Arkadiusz Milik është plaçkitur nga dy persona me motoçikletë, ndërsa po udhëtonte për në shtëpi pas fitores të mërkurën mbrëma në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve ndaj Liverpoolit 1:0.
Lajmi është bërë i ditur të enjten nga gazeta lokale "Il Mattino".
Sulmuesi polak ishte duke kaluar nëpër zonën Varcaturo rreth orës 2 të mëngjesit të enjten, kur motoçikleta bllokoi rrugën dhe e detyroi të ndalej, transmeton Koha Ditore.
Një nga personat i drejtoi Milikut revolen në kokë dhe e detyroi që t'ia japë orën e dorës Rolex Daytona, që kap vlerën e 20 mijë eurove. Dy personat kishin fytyrën e mbuluar me helmeta të motoçikletës dhe ikën në drejtim të Licolas. Policia ka nisur hetimet.
Milik ishte titullar në sfidën e së mërkurës ndaj Liverpoolit dhe luajti 68 minuta.
Në fakt, kjo nuk është hera e parë që lojtarët e Napolit plaçkiten në rrugë. Mesfushori kosovar Valon Behrami, derisa po luante për Napolin kishte qenë dy herë viktimë e plaçkitjeve.