Sikurse ishte paralajmëruar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndryshuar metodologjinë që do të përdorë për subvencionimin e shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve nga buxheti i shtetit. Përmes një udhëzimi që mban datën 4 tetor, përcaktohet se vlerësimi i nevojave për subvencione, si dhe detajimi dhe shpërndarja e tyre nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve do të bazohet në të dhënat e raportuara nga këto shoqëri si dhe në ecurinë e përmbushjes së kritereve të përcaktuara në kontratat e performancës, lidhur ndërmjet Agjencisë dhe bashkisë ku ato operojnë.
Ndërkaq, udhëzimi i ri përcakton edhe mënyrën sesi duhet t’i shpenzojnë ujësjellësat paratë e marra nga buxheti i shtetit. Kështu, 40% e fondit të përgjithshëm të subvencionit do të shkojë për mbulimin e kostove direkte të operimit, duke saktësuar se këto para’ do të shpenzohen vetëm për blerje klori dhe për të paguar faturat e energjisë elektrike.
Ndërkohë që, 60% e subvencionit do të duhet të shkojë për nxitjen e performancës së tyre dhe më konkretisht, për subvencionimin e lidhjes së kontratave dhe vendosjen e matësve për kategoritë në nevojë, për pajisjen me matës prodhimi dhe aparate klorifikimi; për pajisjen me matës konsumi apo për të përballuar riparimet dhe mirëmbajtjet.
Gjithashtu, shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve detyrohet të shpenzojnë këto subvencione për financimin e projekteve të zbatimit, studimeve të fizibilitetit apo për blerjen e makinerive, pajisjeve që i ndihmojnë në realizimin e objektivave, sipas biznes planit të miratuar. Deri më tani subvencionet e dhëna nga buxheti i shtetit, në masën 80% shkonin për përballimin e kostove neto, duke përfshirë pagat edhe sigurimet e punonjësve, ndërsa 20% e tyre për përmirësimin e performancës e më konkretisht për përballimin e riparimeve dhe mirëmbajtjet kapitale të aseteve që zakonisht mbulohen nga vlera e amortizimit, pa tejkaluar vlerën e tij në koston e vitit.