Rriten fitimet e bankave, 13.2 miliarde lekë për tetë muaj

Tuesday, 09 October 2018 16:14

Fitimi i sistemit bankar shqiptar u rrit sërish gjatë muajit gusht. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, fitimi progresiv i tetëmujorit kishte vlerën e 13.2 miliardë lekëve, në rritje të mëtejshme nga fitimi prej 12.6 miliardë lekësh i shtatëmujorit.

Megjithatë, fitimi i sistemit është disi më i ulët në raport me vlerat rekord të vitit të kaluar, me rreth 16% më pak. Kthimi nga kapitali tashmë ka arritur nivele më të pranueshme për investitorët, në 13.4%.

Ndonëse kthimi nga kapitali është ende më i ulët krahasuar me periudhën e parakrizës, kur kalonte edhe kufirin e 20%, nivelet aktuale janë të kënaqshme duke konsideruar faktin që kërkesa e brendshme ende nuk është rimëkëmbur plotësisht dhe tregu nuk ofron potenciale të mjaftueshme biznesi për bankat.

Megjithatë, faktori më përcaktues në ruajtjen e fitimeve të larta edhe këtë vit është rënia e kredive të këqija. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të gushtit, raporti i kredive me probleme ishte 12.9%, në nivelin më të ulët që nga viti 2010.

Gjatë këtij viti, efektin kryesor në uljen e këtij treguesi po e japin ristrukturimet dhe rikthimet e kredive, ndërsa deri vitin e kaluar rënia e kredive me probleme ishte sidomos rezultat i fshirjes së huave të humbura.

 

Login to post comments