Meta takon të rinjtë arbëreshë: Forconi lidhjet me bashkëmoshatarët tuaj në Shqipëri

E Enjte, 11 October 2018 15:27

Presidenti, Ilir Meta, priti në Presidencë një grup me nxënësit e Kolegjit arbëresh ”Shën Adriano”. Takimin me ta dhe temën e diskutimeve ai e ka bërë vetë të ditur me anë të postimi në "Facebook". ”Elita intelektuale e arbëreshëve të Italisë, me përkushtimin dhe dashurinë ndaj mëmëdheut të tyre, kanë rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e gjuhës, traditave e riteve të të parëve, si dhe përcjelljen e tyre te brezat e rinj”, - shkruan Meta në postimin e tij.

Këshilla e Kreut të Shtetit për të rinjtë arbëreshë ka qenë që të rrisin shkëmbimet kulturore me bashkëmoshatarët e tyre në Shqipëri. Për Presidentin, kjo është mënyra më e mirë për t’u njohur dhe afruar më shumë me njëri-tjetrin. Gjithashtu Meta ka bërë të ditur se shumë shpejt do t'i vizitojë edhe në Kolegjin e tyre në Itali.

Postimi i plotë

Mirëprita me shumë kënaqësi, një grup nxënësish të Kolegjit arbëresh “Shën Adriano” në Shën Mitër Koronë, institucionin arsimor ku ka dhënë mësim Jeronim De Rada dhe ka studiuar Luigj Gurakuqi.

Elita intelektuale e arbëreshëve të Italisë, me përkushtimin dhe dashurinë ndaj mëmëdheut të tyre, kanë rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e gjuhës, traditave e riteve të të parëve, si dhe përcjelljen e tyre te brezat e rinj. I inkurajova jo vetëm të forcojnë më tej inteligjencën arbëreshe por edhe të rrisin shkëmbimet kulturore me bashkëmoshatarët e tyre në Shqipëri, si mënyra më e mirë për t’u njohur dhe afruar më shumë me njëri-tjetrin.

Ju premtova se shumë shpejt do t’i vizitoj edhe unë në Kolegjin e tyre, shumë të dashur për të gjithë shqiptarët.

Login to post comments