Sipërfaqja e banimit – Më lirshëm në Durrës, më ngushtë në Kukës

E Enjte, 11 October 2018 15:29

Shqiptarët kanë shtëpi më të madhe në Durrës dhe Tiranë, ndërsa më ngushtë për banim janë banorët e Kukësit dhe të Korçës.

Statistikat rajonale të Instat tregojnë se sipërfaqja mesatare e banimit në Qarkun e Durrësit është 95 m2, ndërsa në atë të Tiranës 94.7 m2.

Megjithëse çmimet e pasurve të paluajtshme në këto qarqe janë më të larta, hapësirat e banimit janë më të bollshme. Kjo lidhet edhe me numrin më të madh të ndërtimeve të reja, që në vlera mesatare, kanë sipërfaqe më të lartë krahasuar me ndërtimet e para viteve ‘90.

Sipërfaqet e banesave reflektojnë diferencat në zhvillimin ekonomik dhe demografik mes qarqeve të ndryshme, por jo vetëm. Qarqet e Durrësit dhe Tiranës kanë edhe numrin më të madh të ndërtimeve informale.

Në shumicën e rasteve, bëhet fjalë për vila me më shumë se një kat dhe që kanë sipërfaqe më të mëdha krahasuar me apartamentet.

Në fund të renditjes është qarku i Kukësit, me një sipërfaqe mesatare banesash prej 79.6 m, i paraprirë nga qarku i Korçës me 81.7 m2.

Instat raporton se Shqipëria ka rreth 770 mijë banesa dhe afërsisht një e treta ndodhen në qarkun e Tiranës. Numri më i ulët i banesave regjistrohet në Kukës, me rreth 18 mijë të tilla.

Login to post comments