Flet nëna e Stresit: Nuk kishte armë, ia la në dorë policia me një peshqir të bardhë

Premte, 19 October 2018 17:52

Nëna e ‘Stresit’, këngëtarit të njohur Arkimed Lushaj, thotë se, arrestimi i djalit të saj është një ‘hakmarrje 24 orëshe’ pasi i shoqi i saj paditi Taulant Ballën.
“Padia që i bëri bashkëshortit im zotit Taulant Balla, mënjeherë u kthye restoja me ndalimin dhe arrestimin e Stresit. Pra është një hakmarrje 24 orëshe’, shprehet ajo.
Shpresa Lushaj ka thënë për gazetën ‘Panorama’ se ‘Stresi’ nuk është as bandë dhe as grup kriminal, por një artist i lirë.
“E arrestuan në gjumë. Policët i vunë një armë para me një peshqir të bardhë dhe thanë se e kapën me armë pa leje. Djali im nuk kishte armë. Është thjesht një sajesë. Po përdorin të njëjtat metoda si në kohën e komunizmit. Gjithçka është parapërgatitur.
U bë një gjyq pa njoftuar fare, duke thënë se ishte në procedim, po e ndiqnin. Një vendim i pabesueshëm në kuptimin që nuk ka ndodhur një krim, Stresi nuk është as bandë dhe as grup kriminal. Absolutisht është një artist i lirë’, është shprehur ajo.
Arkimed Lushaj u arrestua dy ditë më parë në një hotel në Tiranë. Policia tha se ai ishte pjesë e një bande kriminale që shpërndanin narkotikë në kryeqytet. Por sipas nënës së tij arma nuk është e tij.
Ajo u shpreh se, djali i saj ka qenë në një ditëlindje dhe më pas ka fjetur në hotelin ku u arrestua nga policia.

Pjesë nga intervista botuar në gazetën Panorama
“Hakmarrje 24 orëshe” e quan nëna e Stresit arrestimin e tij në një hotel në Linzë dy ditë më parë. Sipas Shpresa Lushajt, gjithçka ka ndodhur pas padisë që i shoqi, Sali Lushaj, depozitoi në Gjykatën e Tiranës kundër deputetit socialist Taulant Balla.
Madje, nëna e këngëtarit ka dyshime të forta për momentin e arrestimit të Stresit, aq sa shprehet se pistoleta e pretenduar si e të birit dhe që e mbante pa leje, nuk ishte e tij. Ajo thotë se djali i saj ka qenë në një ditëlindje e më pas ka fjetur në hotelin ku i shkoi Policia për ta arrestuar, duke i vënë prangat në gjumë.
Ndërsa policët mbanin në dorë një pistoletë dhe një peshqir. Kështu i është shprehur vetë Stresi avokatit gjatë ditës së djeshme. Shpresa Lushaj hedh poshtë çdo mundësi që i biri të jetë pjesë e një grupi kriminal dhe të gjithë këtë operacion policor ajo e quan një farsë të turpshme.
-Djali juaj është arrestuar të mërkurën, i dyshuar si pjesë e një grupi kriminal. Çfarë dini ju rreth akuzave të ngritura ndaj Stresit?
Padia që i bëri bashkëshorti im zotit Taulant Balla, menjëherë u kthye restoja me ndalimin dhe arrestimin e Stresit. Pra, është një hakmarrje 24 orëshe.

-Pra, ju mendoni se arrestimi i Stresit është hakmarrje?
Po, absolutisht hakmarrje. U bë një gjyq pa njoftuar fare, duke thënë se ishte në procedim, po e ndiqnin dhe Gjykata mori një vendim. Një vendim i pabesueshëm, në kuptimin që, nuk ka ndodhur një krim, Stresi nuk është as bandë, as grup kriminal.
Absolutisht është një artist i lirë, i pacensuruar, i rritur deri në moshën 19-vjeçare në Europë, siç rriten të gjithë europianët. Sheh të bardhën i thotë e bardhë, sheh të zezën i thotë e zezë. E zhvesh këmishën në lokal, sepse i duket e lirë çdo gjë. Ka sedër, është djalë me principe morale. Nuk mund t’i thuash Stresit grup kriminal. Ne në familjen tonë çfarë nuk kemi kaluar. As nuk kemi prona, as nuk kemi lokale, restorante, hotele, jahte, makina luksoze, as parcela të mbjella.
Nuk jemi aluduar asnjëherë për shitje, për mbjellje, për asnjë gjë të tillë. Ne jemi njerëz që na u ka vënë politika, jo sot, por 40 vjet përpara. Të internuar politikë, bashkëshorti im i dënuar politik, unë që kam rritur fëmijët pa burrin, duke shkuar nga një burg politik, në internim, nga internimi prapë në burg politik derisa kemi ardhur këtu.
Intervista
nga Etleva Delia

Login to post comments