Varfëria, faktori kryesor i migrimeve të shqiptarëve

Saturday, 20 October 2018 09:50

Studimi tregoi se motivet ekonomike ishin akoma faktori kryesor i migrimit, por me ndryshimin se tani shqiptarët preferojnë të largohen drejt Gjermanisë dhe SHBA-ve, duke mos u joshur më nga vendet fqinje.

Më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare do të donte të shkonte në vendet më të pasura dhe me shkollim më të mirë, tregoi një studim i publikuar ditën e premte.

Studimi, i udhëhequr nga Russell King i Universitetit të Sussex dhe studiuesi shqiptar Ilir Gedeshi, zbuloi se migrimi potencial i vendit ishte rritur nga 44 përqind në 2007-ën, në 52 përqind në 2018-ën.

Që kur Shqipëria rrëzoi komunizmin më 1991, më shumë se 1.4 milion shqiptarë, gati gjysma e popullsisë aktuale të vendit, kanë emigruar kryesisht në Italinë dhe Greqinë fqinje, dhe më pak në Britani, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara.

Studimi tregoi se motivet ekonomike ishin akoma faktori kryesor i migrimit, por me ndryshimin se tani shqiptarët preferojnë të largohen drejt Gjermanisë dhe SHBA-ve, duke mos u joshur më nga vendet fqinje.

Rreth 65,000 shqiptarë kërkuan azil në Gjermani në vitet 2015-16, por shumica e tyre u refuzuan, pasi vendi përballej edhe me fluksin e sirianëve që iknin nga lufta. Gjermania që nga fillimi ka mirëpritur gati të gjithë mjekët dhe infermierët e rinj, të sapodiplomuar, duke shprehur edhe një interes në rritje ndaj kësaj kategorie.

Ndërsa kriza globale dhe ekonomike që nga viti 2008 goditën ekonomitë e Italisë dhe të Greqisë, që ishin edhe “shtëpi” për rreth një milion shqiptarë, remitancat në Shqipëri, kyçe për lehtësimin e varfërisë, u tkurrën me një të tretën dhe 133.544 emigrantë u kthyen në atdhe, transmeton “Tch”.

“Të papunët, të pa kualifikuarit dhe të paarsimuarit ishin kategoria prej nga buronin emigrantët më parë. Tani ka ndryshuar, pasi janë të aftët, të arsimuarit, ata me një punë dhe gjendje të mirë ekonomike, që duan të emigrojnë”, tha Gedeshi për Reuters.

“Ne gjithashtu kuptuam se arsyet ekonomike kishin rëndësi më të vogël, sepse njerëzit tani duan të emigrojnë për një arsimim më të mirë. Një grup gjithashtu dëshiron të largohet sepse nuk sheh asnjë të ardhme në Shqipëri”, shtoi ai.

Duke pasur parasysh profilin në rritje të edukimit të migrantëve potencialë, studimi rekomandoi që Shqipëria të kërkonte marrëveshje për “migrimin e menaxhuar të të aftëve, gjithmonë duke mbajtur parasysh rreziqet e rrjedhjes së trurit dhe aftësive”.

“Duhet gjithashtu të bëhen përpjekje për të përmirësuar dhe zgjeruar strukturën e punësimit dhe mundësive të biznesit në Shqipëri, në mënyrë që më pak njerëz të jenë pesimistë për të ardhmen e tyre në Shqipëri dhe ta shohin migrimin si” rrugë të vetme”, thuhet gjithashtu në studim.

Login to post comments