Më shumë se një muaj e gjysëm pas shpalljes së pagave të luftës si pjesë e planit financiar të qeverisë, ende nuk ka përfunduar dhënia e tyre. Ndërsa jemi në muajin maj, paga prej 26 mijë lekësh të premtuar që në mars nuk ka kaluar në llogaritë e përfituesve.
Kryeministri Rama vendosi fillimin e javës së kaluar si afat për likuidimin e “pagave të luftës”, siç u emërtuan pagesat për të punësuarit bizneseve të vogla, të mbyllura për shkak të situatës së pandemisë. Por, ashtu siç kemi raportuar më parë, ky ishte afati i radhës i shkelur nga qeveria.
Në fillim të kësaj jave, të hënën e datës 27 prill, kreu i qeverisë dha hollësi gjatë emisionit Real Story mbi numrin e personave që kishin përfituar pagën e luftës
“Sot që flasim janë paguar 58,708 persona nga paketa e parë”- tha ai, ndërsa numri total I përfituesve ishte 60,442.
Më 29 prill, kryeministri Rama iu rikthye çështjes të pagës së luftës për paketën e parë ekonomike në një bashkëbisedim online me qytetarët.
“Janë 3 mijë individë në paketën e parë, niptet e të cilëve nuk korrespondojnë me fazën e aplikimit. Sot ose nesër Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do t’iu çojë një mesazh të dedikuar duke iu thënë se iu është akorduar si kategori paga e luftës, dhe nëse për një arsye ose për një tjetër e kanë pasur të pamundur aplikimin, janë të lutur që të aplikojnë.”- tha ai.
Gjatë të njëjtës ditë, faqja e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve kishte njoftuar në Facebook se në 30 prill, do të rihapeshin aplikimet deri ditën e martë të datës 5 maj, për ata që nuk kishin mundur të aplikonin për përfitimin e paketës së parë.
Më 29 prill edhe drejtoresha e përgjithshme e tatimeve, zonja Delina Ibrahimaj gjatë një interviste në “Open” u shpreh:
“Ne e kemi mbyllur procesin e aplikimeve të paketës së parë që prej datës 21 mars. Megjithatë, duke qenë se fluksi i aplikimeve ka qenë shumë i lartë, ne vetëm në fillim të kësaj jave kemi arritur të përmbyllim procesin e aplikimeve dhe të miratimeve.”, tha ajo.
Për rreth 3 mijë aplikuesit ”me probleme” ajo tha:
“Nga parashikimet që ne kishim bërë për punonjësit që duhej ta përfitonin pagën e luftës, është një numër prej 3864 niptesh të cilët në shifrat tona, janë përfitues të paketës së parë, të cilët nuk kanë aplikuar për paketën e parë. Për këtë arsye ne do të riçelim aplikimet për përfitim për pagën e luftës për paketën e parë vetëm për këto 3864 nipte të cilët do të njoftohen nëpërmjet portalit e-filing, në adresën e tyre e-filing.”
Më 30 prill, në një intervistë për Report TV zonja Ibrahimaj dha përditësimin e fundit mbi numrin e punjonësve që ishin paguar deri në atë moment.
“Ishin rreth 121 mijë aplikime, ndër to janë paguar 58,987 dhe mbi 60 mijë kanë qenë refuzime.”- tha ajo.
Paga e parë e luftës, e premtuar nga kryeministri Rama për në fund të muajit mars, nuk u miratua për të 60,442 personat, as deri në fund të muajit prill.
Fakt është që paga nuk ka mbërritur në duart e të gjithë personave të cilëve u është miratuar.
“Faktoje” bisedoi më 30 prill me qytetarin me iniciale V.M., 60 vjeç, i cili punon si taksist ne qytetin e Tiranës. Ai tregon se paga e luftës i është miratuar pas aplikimit të dytë, pasi fillimisht i ishte refuzuar, por ende nuk ka mbërritur në llogarinë e tij.
“Me ka thënë ekonomistja që paga më është miratuar që përpara një javë, por ende nuk e kam marrë. Këtë javë u kthyem në punë se kishim mbi 1 muaj mbyllur. Më vinin telefonatat nga klientët e nuk dilja dot. Mirë që kishim hequr diçka mënjanë për një ditë të vështirë se ndryshe nuk do ia kishim dalë dot.”-tha ai për Faktoje.
Më 1 maj ne biseduam një tjetër të vetëpunësuar në një bar-kafe, 55 vjeçarin D.A., 55. Pavarësisht se paga i është miratuar prej rreth dy javësh, ende nuk ka mbërritur në llogarinë e tij.
“Kemi aplikuar rreth datës 8-9 prill dhe pas një jave, aty nga data 15 prill është miratuar paga. Por deri tani jemi ende në pritje”.
Në momentin kur ka mbaruar muaji i dytë i “luftës”, paga e parë nuk është marrë ende nga të gjithë punonjësit e identifikuar nga qeveria.
JOEL ÇELA/Faktoje.al