Jemi të shokuar nga ajo që po ndodh që prej dy ditësh në fshatin tonë.
Burra, gra, fëmijë kanë mbet’ pa gojë. Pasditen e së enjtes u habitëm kur pamë se po vinin forca të shumta policie.
U rrethua fshati cep më cep dhe matanë tij. Nisën kontrollet, ndërsa askush prej nesh nuk e dinte se çfarë po ndodhte. E kujt i shkonte mendja se në fshat ishte ngritur një laborator heroine.
Terror, terror gjithandej.
Një bashkëfshatarin tonë e mori policia zvarrë për krahësh. Është mbi 80 vjeç’. Kështu u shprehën dje banorët e fshatit Brenog të Hasit. Fshat ky që ndodhet rreth 12 km nga qyteti i Krumës.
Vetëm disa orë pas fillimit të operacionit, banorët kanë mësuar se në fshatin e tyre ‘luhej’ drogë e madhe. Ata ende nuk munden ta besojnë se Mustafë Shuti, djali i tij, Xheviti dhe nipi 15-vjeçar është përfshirë në këtë histori që sipas tyre ka kapërcyer kufijtë e Hasit.
Ndërkaq, banorët u shprehën për ‘Gazeta Shqiptare’ se janë shumë të frikësuar dhe sidomos fëmijët, të cilët kanë parë nëpër fshat persona me uniformë (disa me mbishkrimin DEA’), të armatosur dhe me ‘maska’ në fytyrë.
Ndonëse të trembur tejet, ata treguan me detaje mbi superoperacionin antidrogë që nisi dy ditë më parë dhe që po vazhdon në zonën e tyre.
Rrëfimet e banorëve
‘Ka qenë ora 14:00, kur në rrugën e fshatit pamë të vinin shumë policë. Fillimisht, u habitëm dhe filluam të pyesnim njëri-tjetrin se çfarë ka ndodhur. Më pas shtangëm të gjithë, pasi policët rrethuan gjithë fshatin.
Gratë dhe fëmijët na pyesnin se ç’po ndodh dhe ne nuk dinim t’u jepnim përgjigje. Nuk ka ndodhur më parë një gjë e tillë në fshatin tonë. Jemi bërë kaq sa jemi e s’kemi parë të vihet fshati në shtetrrethim si me qenë kohë lufte’,- thanë disa banorë të fshatit Brenog.
Të pyetur në lidhje me laboratorin e heroinës, ata u shprehën: ‘Vetëm nga ora 22:00 e së enjtes u mor vesh se bëhej fjalë për drogë. Ne kemi mësuar se në atë laboratorin është sekuestruar jo 100 kg heroinë siç po dëgjojmë në lajme, por 260 kg.
Ne një qind për qind nuk e prisnim një gjë të tillë. E kujt i shkonte mendja. E për më tepër për Mustafë Shutin, të cilin e morën zvarrë për krahësh policët se është burrë i vjetër dhe mezi mbahet në këmbë. Ishanllah nuk u ngel në duar’, pohoi një nga banorët.
Ndërsa, një tjetër tregoi se edhe Xhevit Shuti, djali i Mustafës është kapur nga policia. ‘Xheviti ka një autobus 12 vendesh dhe me të bën për çdo ditë linjën Durrës-Has. Jemi të habitur, të habitur. Nuk di çfarë të them për këtë. Policia e di punën e saj’.
Ndërkaq, banorët u shprehën se ndihen shumë të frikësuar dhe se ata nuk i kanë asnjë borxh policisë që t’i terrorizojë fshatçe.
‘A e kapi policia drogën? A i kapi personat që dyshohen se merreshin me drogë? Po ne çfarë faji kemi në këtë mes? I madh dhe i vogël në fshat është i frikësuar’,-thanë ata.
Botuar sot në Gazeta Shqiptare