Gjigandi i vlerësimit, Moody`s i ka dhënë një shuplakë të rëndë Italisë, duke ulur notën e borxhit sovran në Baa3 me perspektivë të qëndrueshme, nga Baa2 që ishte më parë.
Mes arsyeve kryesore të këtij zhvlerësimi, vetë agjencia citon perspektivën e një deficiti më të lartë se pritshmëritë, si dhe impaktin negativ të reformave strukturore dhe fiskale, pra buxhetin e ri.
Sipas agjencisë, Italisë i mungon një plan koherent për rritjen ekonomike. E vetmja arsye që ka ndaluar edhe zhbërjen e perspektivës, në negative është fakti se vendi ruan ende disa pika të forta sa i përket kreditimit, që mesa duket balancojnë brishtësinë në nivel fiskal.
Ndër të tjera, Moody`s ka rritur edhe gjasat për një dalje të mundshme të Italisë nga zona e monedhës së përbashkët europiane.
Një tjetër element mjaft shqetësues vlerësohet edhe rritja e ndjeshme e borxhit publik, dhe sipas Moody`s projeksionet e qeverisë në këtë drejtim janë më shumë se ç`duhet optimiste.
Ndërkohë, në vitin 2019 mund të vijë një zhvlerësim i pritshëm nga agjencia tjetër e vlerësimit të kreditit, Fitch.
Nga ana tjetër në fund të javës që vjen do të flasë edhe Standard and Poor`s. Me shumë gjasa nuk do të ketë deklasim por vetëm zbehje të perspektivës, në negative.
Të gjitha këto vendime pritet të kenë një ndikim negativ në borxhin publik, pasi rrisin kostot e huamarrjes. Vendimi i Moodys pritet gjithashtu të shkaktojë një tërmet të vërtetë në tregje ditën e Hënë.