“Truri” po arratiset nga Shqipëria

Diel, 21 October 2018 19:01

Një studim i Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara ngre alarmin e emigrimit të personave me gradë shkencore nga Shqipëria.

Vendi ynë renditet i 15 krah Gambias dhe Hondurasit ndërsa sociologët ngrenë alarmin dhe i bëjnë apel politikës për më shumë vëmendje ndaj këtyre personave.

Mjekët dhe inxhinerët nuk janë të vetimit që po braktisin Shqipërinë të joshur nga ofertat e tregut të huaj të punës.  Në raportin e OKB vendi ynë renditet në mesin e 15 shteteve përsa i përket largimit të personave të arsimuar dhe me grada shkencore. Sociologët ngrenë alarmin dhe thonë se largimi i tyre do të krijoj vakum në shumë shërbime.

Gëzim Tushi, sociolog: Ideja se ata nuk na bëjnë dëm se nuk ka vakume, sepse vakumet mbushen është një ide primitive. Vërtet mund ti mbushësh, por varet me çfarë i mbush. Në këtë rast nuk ka të bëjë sasia, por cilësia.

Në këto kushte, sociologu Gëzim Tushi thotë se nevojitet një forcim i sistemit të meritokracisë dhe një vëmendje e shtuar ndaj këtyre personave. Gëzim Tushi, sociolog: Politika në vend që të merret me debate boshe, me ide shterpe të kthejë sytë nga bota e dijes, nga bota e ekspertëve, sepse pa njerëzit e dijes shpirti i shtetit do të vdesë.

Nga studimi rezulton se rreth 72% e diasporës shkencore shqiptare është përqendruar në vendet si  SHBA, Itali, Francë, Kanada, Mbretëri e Bashkuar dhe Gjermani.

Në kuadër të studimit të realizuar me 720 doktorantë dhe 303 studentë që jetojnë jashtë vendit, gjysma e tyre afërisht 49% nuk kishin ndër mend të ktheheshin në Shqipëri./oranews

Login to post comments