Eurobondi dhe ulja e fluksit të emetimeve çojnë në rënie interesin e bonove 12 mujore

Tuesday, 23 October 2018 17:21

Qeveria siguroi një financim 7.6 miliardë lekë nga emetimi i një bonoje 12 mujore sot kundrejt një interesit 1.68 për qind. Interesi shënoi ulje 0.11 pikë përqindje në raport me ankandin e mëparshëm te datës 4 tetor dhe ulje 1.13 për qind në raport me ankandin e janarit të këtij viti.

Ulja e interesit erdhi për si rezultat i disa faktorëve ku mbi të gjitha shihet se ndikimin më të madhe e ka pasur emetimi i një Eurobondi në tregjet ndërkombëtare së fundmi me vlerë 500 milionë euro, pohojnë burimet nga tregu. Nga kjo shumë 350 milionë euro do të shkojnë për rifinancimin e Eurobondit aktual, ndërsa pjesa tjetër prej 150 milionë eurosh do të përdoret për financimin e deficitit buxhetor.

Në fakt kurba e interesave të borxhit qeveritar ka tendencë ulje në pjesën e dytë të çdo viti për shkak të uljes së fluksit të emetimeve të qeverisë. Afatet e maturimit që kërkojnë rifinancim janë të përqendruara në muajt e parë të vitit. Kërkesa më e lartë për emetim nxit interesa më të larta për gjysmën e parë të vitit, të cilat fillojnë e bien në gjysmën e dytë të vitit për shkak të intensitetit më të ulët për emetime.

Faktori i tjetër lidhet me interesin e lartë të tregut për të investuar në borxhin e qeverisë, për shkak te politikave shtrënguese qe po ndjekin bankat për kredidhënien. Në ankandin e fundit të bonove 12 mujore raporti i mbulimit ishte 1.3, çka do të thotë se bankat ofruan 10 miliardë lekë, kundrejt 7.6 miliardë lekëve që kërkoi qeveria.

Ministria e Financave shprehet se, kosto mesatare e portofolit të borxhit të brendshëm ka vijuar të ulet edhe përgjatë këtij viti për shkak të rifinancimit të titujve afatgjatë që maturohen me tituj me norma interesi më të favorshme.

Për sa i përket zhvillimeve në tregun primar, kërkesa për tituj shtetërorë mbetet ende jo shumë e diversifikuar dhe e bazuar kryesisht tek sektori bankar, por ka një rritje në drejtim të pjesëmarrjes së individëve.

Modifikuar më Tuesday, 23 October 2018 17:46
Login to post comments