Erdogan: Kashoggi, viktimë e një vrasjeje me paramendim

Tuesday, 23 October 2018 17:33

Presidenti turk Recep Taip Erdogan tha të martën se vrasja e gazetarit saudit Jamal Kgashogi ishte akt i paramenduar dhe se personat përgjegjës, përfshirë ata që dhanë urdhër për vrasjen, duhen ndëshkuar.

Në një fjalim para vendit, Presidenti Erdogan dha hollësi të ngjarjeve duke filluar me ditën para se Khashoggi të shkonte në konsullatën saudite në Stamboll. Ai tha se një numër ekipesh mbërritën në Stamboll për t’u takuar me Khashoggin në misionin diplomatik të Arabisë Saudite dhe hoqën hard-drive-in e sistemit që operonte kamerat e sigurisë.

Zoti Erdogan tha se e fejuara e Khashoggit, Hatice Cengiz priti para konsullatës për orë të tëra para se të kontaktonte autoritetet turke për t’u thënë se Khashoggi po mbahej kundër dëshirës dhe ishte në rrezik.

Nga ky moment hetimet lëvizën shumë ngadalë, pasi konsullata gëzon statusin e mbrojtjes diplomatike. Por ai tha se policia turke ishte e sigurtë se Khashoggi nuk kishte dalë nga ndërtesa, ashtu siç thanë fillimisht sauditët.

Arabia Saudite pohoi javën e kaluar se Khashoggi kishte gjetur vdekjen në konsullatë, fillimisht duke e shpjeguar incidentin si një zënkë që doli jashtë kontrollit, më pas duke thënë se ai vdiq nga mbytja pasi e kishin mbërthyer dhe po e shtrëngonin për të mos e lënë të largohej nga ndërtesa.

Presidenti Erdogan tha të martën se Arabia Saudite ndërmori një hap të rëndësishëm kur pranoi se Khashoggi ishte vrarë në konsullatë, por ai pret nga udhëheqja e vendit të mbajë përgjegjës të gjithë ata që ishin të përfshirë në këtë akt. Ai tha se nuk mund t’u hidhet faji vetëm operativëve të zbulimit dhe sugjeroi që gjyqet të kryhen në Stamboll pasi akti u krye në këtë qytet.

Zoti Erdogan e përfundoi fjalimin me një numër pyetjesh që kërkojnë përgjigje: ku është trupi i Khashoggit, kush dha urdhër për dërgimin e ekipeve në Stamboll dhe përse Arabia Saudite dha variante të ndryshme për fatin e tij.

Media amerikane njoftoi se drejtoresha e CIA-s, Gina Haspel u nis dje për në Turqi për t’u takuar me zyrtarët që po hetojnë vrasjen e Khashogit. Administrata Trump nuk ka thënë gjë publikisht për nisjen e saj.

Login to post comments