I habitur dhe me buzëqeshje, zoti Baftjar e mirëpriti krahë hapur drejtuesin e “E Diela Shqiptare”, Ardit Gjebrea në shtëpinë e tij. “Mirë se erdhe, jam shumë i gëzuar që më erdhi Ardit Gjebrea në shtëpinë time”. Ai tregoi që ka 4 vëllezër e 4 motra, sepse vëllai e dha kur ishte i vogël tek vëllai i tij, që nuk mund të kishte fëmijë.
Gjebrea i tregoi zotit Baftjar fotografinë e mbesës së tij Burbuqe, e cila pas 21-vjetësh është kthyer nga Amerika për ta falenderuar për sakrificat që ai kishte bërë për të dhe motrat e vëllain e saj, ashtu sikurse edhe për nënën që vuante nga skicofrenia
Zoti Baftjar e njohu menjëherë…”Janë rritur jetimë, i ka rritur daja”, tha ai, ndërsa pranoi me kënaqësi të dëgjonte mesazhin e zonjës Burbuqe.
“Dajo, unë jam këtu të të falenderoj për çfarë ke bërë ti për ne dhe të tregoj çfarë ke bërë ti për ne. Edhe të të kërkoj falje, sepse 21 vjet unë kam ardhur, është e treta herë në Shqipëri dhe s’kam pasur mundësi, pasi problemet nuk mund të t’i tregoj këtu. Fjala më fal dhe faleminderit është shumë pak, sa shumë ke bërë ti. Për mua dhe për ne të gjithë, ti u gjende pranë në kohën më të vështirë të jetës tonë. Kur nëna ime u sëmur, ne ishim 6 fëmijë, ti ke qenë shumë i varfër edhe vije dy herë në muaj, për t’më takuar dhe për të parë nënën në spital, pasi të tërë të tjerët na braktisën. Unë mbaj mend kur erdhe dhe e more mamanë në krah se nuk kishte mundësi të paguaje, e ke marrë në krahë nga shtëpia tek treni, nga atje ke vajtur tek tezja jonë dhe ajo nuk të pranonte, nuk e pranonin nënën time të sëmurë. Kur e ke marrë me një karrocë të fshatit dhe e more në shtëpinë tënde ku nëna ime lëngoi për 9 muaj dhe ti i shërbeve. Mbaj mend kur kam ardhur tek ty, që nëna ime ishte shumë e sëmurë dhe ishte vetëm 38-vjeçe dhe ajo ishte ulur në pragun e derës dhe ajo të tha: Të gjithë u rregulluan dhe ti je më i varfri këtu. Unë i mbaj mend shumë mirë fjalët e tua, që i the: Unë jetoj dhe në një gurë, vetëm ti të bëhesh mirë. Unë këto fjalë nuk do t’i harroj kurrë. Unë e di që shumë vonë të them më fal dhe të të them sa shumë të dua, është vetëm një fjalë goje.”
“I kam rritur me shumë vuajtje, rrija pa bukë vetë dhe do të shkoja në spital, sepse ka qenë në psikiatri, 8 vjet“, tha i përlotur zoti Baftjar, i cili rrëfeu se nëna e Burbuqes i vdiq në shtëpi.
“O të keqen daja, o shpirti dajës“, ishin fjalët e vetme që zoti Baftjar arriti të nxirrte nga goja teksa përqafoi me mall zonjën Burbuqe.