Nga Bardhyl Musai
Kurrikula e bazuar në kompetenca, e iniciuar katër vjet më parë nga Ministria e Arsimit me justifikimin, “…se modeli ekzistues nuk funksion më, prandaj ka nevojë për një reformim” dhe zgjidhja se ‘”Qasja e re ndaj kurrikulës, duke u bazuar në kompetenca paraqet një zhvendosje domethënëse nga kurrikula tradicionale duke e përafruar me kurrikulat e vendeve europiane dhe kërkon ndryshime të thella që prek të gjithë sistemin arsimor”, ka çrregulluar sistemin duke krijuar probleme e parregullsi, që sa vjen e shtohen.
Arsimi i bazuar në kompetenca është mjaft kompleks dhe kërkon një sërë masash përgatitore për t’u zbatuar. Kompetenca është të bësh gjënë e duhur, në mënyrën e duhur, në kohën e duhur në situata komplekse. Ta konsiderosh të lehtë këtë proces duke shpallur befas një kurrikul që është ‘importuar’ nga Kosova dhe Kosovës ja kanë ofruar nga Skocia, nuk mund të presësh gjë tjetër, veçse dështimin e pashmangshëm.
Kurrikula e bazuar në kompetenca u quajt modernizim i arsimit dhe se modeli i bazuar në objektivat mësimore quhej i vjetëruar. Reformimi i sistemit ndodh kur bëhen ndryshime të thella konceptuale për të realizuar qëllime të qarta arsimore, rezultatet e të cilave të jenë objektivisht të matshme. Emërtime të tilla, si "objektiva mësimore" apo "objektiva të të nxënit" apo më pas "rezultate të të nxënit", nuk sjellin ndonjë përmirësim në cilësinë e sistemit. Formulimi i tyre bëhet në mënyrë të njëllojtë, mbështetur në nivelet e Takonomisë së Blumit. Vende të zhvilluara si Amerika e Veriut, të BE-së, por edhe të tjerë, që ende përdorin objektivat mësimorë a rezultatet e të nxënit, nuk kanë pengesa për rrritjen e vazhdueshme të cilësisë.
Ndryshimi i etiketave nuk e modernizon sistemin, më pak akoma ta reformojë e të rritë cilësinë. Sigurimi i cilësisë është kombinim i shumë faktorëve, të tillë si; mësimdhënia, mjedisi i të nxënit, kurrikulumi, tekstet dhe materialet ndihmëse, infrastruktura dhe materialet didaktike, e mbi të gjitha llogaridhënia, e cila nuk njihet në kulturën tonë.
Modeli kërkon domosdoshmërisht edhe një sistem vlerësimi me referencë standardet, të matshme e jo në kritere sikurse është. Referencë e dobishme për sistemin janë rezutatet e vlerësimit ndërkombëtar PISA, ku vendi ynë merr pjesë rregullisht. Këto rezultate, shumë të ulëta për Shqipërinë, nuk analizohen që politika arsimore të marrë vendime e të ndërhyjë në sistem për të rritur cilësinë. Atëherë, a duhet të marrim pjesë kur mijëra euro që shteti paguan si tarifë pjesëmarrjeje në PISA, para të taksapaguesve, janë të shpenzuara pa dobi?
Rezultatet e nxënësve tanë në PISA 2015 janë dëshpëruese. Gati gjysma e nxënësve janë në nivelin minimal të zotërimit të dijeve për t’i shfrytëzuar në jetë, ndërsa duke u krahasuar me mesataren e vendeve të OECD-së, kemi një diferencë prej gati 80 pikë (më saktë 88 dhe 77), që do të thotë se nxënësit tanë të klasës së 9-të janë në nivelin e klasës së 7-të të nxënësve të këtyre vendeve, pra dy vite shkollimi më poshtë.
Më shumë se dhjetë vite më parë u propagandua lëvizja për “Objektivat minimalë të të nxënit”, e cila pështjelloi sistemin pasi nuk mbështetej në ndonjë teori a doktorinë. Tashmë ajo është shuar, por dëmin e bëri, pasojat i la pas. Modeli i bazuar në kompetenca do të pësojë fat të ngjashëm si “objektivat minimalë”, dështim të pashmangshëm edhe për arsye të pamjaftueshmërisë financiare.
Buxheti aktual i arsimit është 2.49% e PPB ndërkohë që mesatarja e vendeve të BE-së është 4.9% e PBB. Shqipëria renditet në vendin e 135-të të listës botërore për buxhetin në arsim. Përpara këtyre shifrave zhvlerësohet slogani ministror se “nuk bëjmë kompromis me cilësinë në arsim”.
[Përmbledhje e punimit të paraqitur në konferencën ndërkombëtare: Education, Psychology and Society, në Fakuletin e Shkkencave Sociale, Tiranë, 26-27 tetor 2018