Familjarët e ekstremistit grek: Kryeministri Tsipras do të vijë në Bularat!

Tuesday, 30 October 2018 08:45

Nëna e Kostantinos, Vasiliqi Kaçifas, është shfaqur dje në një gjendje të rënduar psikologjike.

Në një lidhje telefonike për televizionin grek “Antena”, nëna vajton djalin e saj. 

Ajo nuk është në gjendje të flasë, ndërsa artikulon fjalët “Pse duhet të vrisnin djalin tim?” “Pse duhet të më vrisnin fëmijën tim? Ishte i gëzuar se po zbukuronte shkollën e fshatit për festën e 28 Tetorit, për të nderuar heronjtë. Shqiptarët nuk i donin pakicat”, është shprehur e dëshpëruar nëna e 35- vjeçarit.

”Unë nuk dua më jetën time pa fëmijën tim, pa shpirtin tim”, tha gruaja duke qarë, më pas mbylli telefonin, pasi nuk ishte në gjendje të fliste. Dy motrat e Konstantin Kaçifas, të cilat jetojnë në Athinë, kanë shkuar dje në Bularat gjatë natës për të mbështetur nënën e tyre. Familjarët e Kostantinos janë shprehur se presin të vijë Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras.

Në familjen e të ndjerit, ku janë hapur dyert e mortit, ka mbërritur edhe konsulli grek në Gjirokastër.

“Gruaja ditën e djeshme nuk ishte në dijeni për ngjarjen, por ajo pa Policinë shqiptare të armatosur, e cila shkoi në shtëpinë e saj për të kontrolluar për djalin”, shkruajnë mediat greke. Familjarët e Kostantinos Kaçifas kanë refuzuar dje ekspertizën mjeko-ligjore të Spitalit të Gjirokastrës.

Ata kërkojnë një ekspertizë të pavarur mjeko-ligjore dhe hetim të rastit nga prokurorë grekë. Sipas informacioneve, morgu i Spitalit të Gjirokastrës ka njoftuar familjen e të ndjerit për të tërhequr trupin e Kostantinos Kaçifas për të kryer ceremoninë mortore. Por, burime nga Spitali i Gjirokastrës thanë dje se trupi i 35-vjeçarit Kostantinos Kaçifas po qëndron ende në morg.

Mësohet se familja nuk pranon rezultatet e autopsisë, por kërkon që trupit të djalit të tyre t’i bëhet një tjetër ekspertizë nga mjekoligjorë të pavarur. Familja Kaçifas ka kërkuar për këtë ndihmën e ambasadës së Greqisë në Tiranë, që të kontaktojë një ekspert mjekoligjor për të përcaktuar shkaqet e vdekjes së 35- vjeçarit. Ceremonia mortore për minoritarin grek ishte parashikuar të mbahej pasditen e djeshme rreth orës 17:00 në fshatin Bularat, por varrimi është shtyrë për një ditë tjetër.

Detaje të reja kanë dalë dje në dritë nga mediat greke, lidhur me të shkuarën e Konstantinos Kaçifas, i cili mbeti i vrarë pas përplasjes së armatosur që pati me forcat e Policisë shqiptare dhe sipas raportimit të tyre thuhet se ngjarja ndodhi pas ngritjes së flamurit grek prej tij. /Panorama/

Policia greke ka deklaruar se nuk ka asnjë informacion, apo dëshmi që vërtetojnë këtë aludim si shkak për këtë përplasje, shkruajnë mediat greke. Sipas “Neësit.gr”, nga burime të Policisë greke rezulton se viktima është arrestuar në vitin 2009 për trafik lëndësh narkotike si dhe me akuzën si pjesëtar i një organizate kriminale, që vepronte në kryesisht në zonat periferike të Athinës.

Login to post comments