Vrasja e Marvi Mihalit/ Shtyrja e seancave gjyqësore revolton prindërit

E mërkurë, 31 October 2018 14:37

Vrasja e Marvi Mihalit vijon të gjykohet dhe sot ka qenë seanca e Radhës. Por shtyrja e procesit gjyqësor ndaj 4 të rinjve, të cilët akuzohen për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim, ka nxitur reagimin e  ashpër të prindërve.

Babai i të ndjerit ka deklaruar se këto zvarritje kanë rënduar akoma më shumë gjendjen psikologjike të familjarëve.

 “Seanca e shtatë që po shtyhet. Ju lutem shumë, zoti kryetar i trupës gjykuese, kanë vrarë djalin tonë të pafajshëm. Përveç humbjes së madhe, po ngarkohemi me një gjendje emocionale të tmerrshme”, tha ai.

Fillimisht, për këtë vrasje prokuroria akuzoi vetëm Dejvi Bitrajn, ndërsa tre të pandehurit e tjerë, Eugen Bitraj dhe Klidens e Marsel Allën i akuzoi për moskallëzim krimi. Por, pas shqyrtimit të kamerave të sigurisë pranë vendngjarjes, familjarët e të ndjerit denoncuan në Top Channel se djali i tyre ishte goditur nga të gjithë dhe jo vetëm nga Dejvi Bitraj.

Në këto kushte, prokuroria ndryshoi akuzat duke i akuzuar të 4 të pandehurit për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim. Përveç të pandehurve që janë në gjykim, prokuroria ka deklaruar se në vendngjarje ka qenë edhe një person i pestë që ka marrë pjesë në krim, por që ende nuk është identifikuar.

Login to post comments