Sot në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar, u prezantua përmes një konference për shtyp nisja e edicionit të 57-të të Festivalit të Këngës në RTSH!
Stafi realizues i këtij edicioni përbëhet nga:
Drejtor i Festivalit, Martin Leka, Drejtor Artistik Inva Mula, Producent Muzikor Sokol Marsi, Skenarist Pandi Laço dhe Regjisor Bledar Laço!
Në fjalën e tij përshëndetëse Leka pohoi se lajmi sot është: “prezenca e Inva Mulës si drejtore e këtij Festivali, që do të sjellë një eksperiencë ndryshe dhe inovatore në këtë edicion, ndërsa dyshja Laço rikonfirmon bashkëpunimet e suksesshme që kemi pasur deri më tani”.
Ishte drejtorja artistike Inva Mula, e cila prezantoi platformën e këtij edicioni, që pretendon të jetë më i hapur se kurrë, duke afruar sa më shumë rininë. “Objektiv për mendimin tim është që ta rikthejmë freskinë, entuziazmin e Festivalit të Këngës në Radio Televizion drejt një publiku, i cili ndoshta për arsye të shumta është shkëputur, ne duam që ai ta kthejë vështrimin dhe të ketë dëshirën si diku ta ndjekë Festivalin dhe ndoshta të mërmërisi këngët më të bukura të tij. Për këtë arsye në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit do të krijohet një grup me nxënësit më të mirë të 15 shkollave të mesme të Tiranës, të cilët do të ndjekin nga afër dhe do jenë një juri ektra, që do të vlerësojë këngën më të mirë”, tregoji Mula para gazetarëve!
Sigurisht që Festivali nuk do të ndryshojë mënyrën e votimit, juria profesioniste do të jetë ajo që do të votojë Këngën fituese, që do të çojë Shqipërinë në Festivalin Eurosong.
Këngët do të prezantohen në 2 netë, nata e parë në 20 Dhjetor, ku 22 këngëtarët do të këndojnë ‘live’ me orkestrën Simofonike të Radio Televizionit Shqiptar, nata e dytë do të jetë Nata e Performancave, apo ndryshe Nata Eurosong, ku të 22 këngët do të vijnë të interetuara ‘live’ por pa orkestër, ato do të shoqërohen nga elementë spektakli duke dhënë në një mënyrë të njëjtën paraqitje që çdo konkurrent do të kishte në Festivalin Europian. Dhe në natën e tretë këngët do të konkurrojnë për vendin e parë.
Këtë vit këngët do të prezantohen parapakisht në një formë ndryshe, duke nxjerrë pakëz prej melodisë, refrenin apo bulëza kënge, por jo të gjithë materialin konkurruese, pasi ai është në garë dhe ethet e garës duhet t’i testojë ‘live’. Prazantimi i 22 artistëve do të bëhet përmes historive të krijuara posçërisht për secilin prej tyre, të cilat do të shfaqin momente pune apo edhe private dhe do të prezantohen në javën e parë të Dhjetorit, përems rrjeteve sociale Instagram dhe Facebook, apo edhe përmes hapësirës televizive që do t’i kushtohet çdo mbrëmjeje në TVSH, këtij edicioni!