Profesori Ksenofon Krisafi, pjesë e grupit negociator për marrëveshjen me detin me Greqinë, i tha TV Ora News se në negociatat e Shqipërisë me Greqinë një tjetër problem është shfrytëzimi i ujërave të lumit Vjosa.
Krisafi: Me Greqinë ne kemi problemin e ujërave të lumit Vjosë dhe bashkë me të një sërë lumenjsh të tjerë që ushqejnë këtë lumë. Në vitin 1983 filluan diskutimet e para mes palës greke dhe palës tonë, -kam qenë pjesë e delegacionit shqiptar- pasi në atë kohë pala greke filloi të ndërtojë një hidrocentral në ujërat e lumit Vjosë. Rregulli është që në ujërat e përbashkëta nuk mund të vësh dorë pa u marr vesh me palën tjetër. Pra edhe ne nëse duam të ndërtojmë hidrocentralin e Çarshovës këtu, edhe pse është në territorin tonë duhet të bisedojmë me palën greke sepse ka ndikime, klimatike, mjedisore etj.
Pra, duhet bërë gjithçka në marrëveshjes mes palëve. Kjo ishte arsyeja që grekët u ulën dhe diskutuan me ne në vitin 1983 sepse do ndërtonin hidrocentralin e Pigait. Do diskutohej për kapacitetin, fuqinë që do kishte. U përpoqëm të gjenim zgjidhje. Bisedimet u zgjatën shumë. Nuk pati një mirëkuptim të plotë për të dhënat që na duheshin për të parë ndikimin e plotë të këtij hidrocentrali në vendin tonë. Kemi shkuar disa herë në Athinë, në Janinë, kanë ardhur disa herë në Tiranë, Gjirokastër dhe përfundimisht në vitin 1989, ata e ndërtuan HEC-n në Vjosë.
Unë kam dëgjuar dhe nga dokumentet që kanë dorëzuar vetë grekët gjatë kohës që isha në Ministrinë e Punëve të Jashtme, se ata kanë vazhduar punën edhe më tej për të marrë ujërat nga Vjosa. Nuk e di sa e saktë por janë edhe 6 hidrocentrale të tjerë që janë ndërtuar në rrjedha të ndryshme të Vjosës dhe kanë marrë një pjesë të ujit pa u marrë vesh në format e duhura.
Ka pasur marrëveshje, marrëveshjet kanë qenë të tilla për të krijuar një komisioni i cili do të merret me trajtimin dhe shqyrtimin e projekteve të përbashkëta të të dyja palëve.
Kur ra sistemi, s'kishte memorie historike dhe ne kishim arritur një lloj marrëveshje kishim krijuar dhe komisionin, një ekip tjetër politik dhe qeveritar shkon në Greqi e thotë do bëjmë një marrëveshje tjetër. Kjo interesonte palës tjetër sepse zgjatej akoma më shumë në kohë mungesa e marrëveshjes dhe u nis nga e para në një kohë kur ekzistonte marrëveshja mes tyre.
Tani minimumi janë tre akte juridiko ndërkombëtare në të cilat jemi palë dhe ne dhe grekët të cilat përcaktojnë saktësisht se çfarë duhet bërë me ujërat e përbashkëta - dy marrëveshje të Finlandës dhe një e New Yorkut- që pala jonë me këtë rast do të duhet ta trajtonte dhe problemin e Vjosës.
Nuk e di nëse e kanë futur apo jo, Po nuk e kanë futur kanë bërë gabim, sepse Vjosa është po kaq e rëndësishme sa deti. Është një çështje që meriton vëmendjen e duhur.