Familjarët e Kostandino Kaçifasit vazhdojnë të pretendojnë se djali i tyre nuk do ti bënte keq askujt.
Në fakt e motra e tij ka shkuar edhe më tej, duke u shprehur se vëllai nuk kishte dhe një armë të tillë.
E vërteta është se Kostandino Kaçifas kishte një kallashnikov të modifikuar me një dylbi për të qëlluar me saktësi nga larg.
Ai qëlloi edhe ndaj policisë, por fatmirësisht nuk kishte persona të lënduar.
Ermioni Kaçifas ka folur për televizionin grek Ant1 për vrasjen e 28 Tetorit në fshatin Bularat. Sipas Ermionit vdekja e vëllait ishte diçka e planifikuar paraprakisht.
‘Ai ishte një objektiv, e ndiqnin për ditë e muaj. Ai nuk do të bënte asgjë. Kush dha urdhrin për të bërë këtë ekzekutim? Nuk mund të priste policia’, tha ajo.
Sipas Ermionit, vëllai i saj Kostandino ‘nuk do t’i bënte keq askujt’, sikurse edhe u shpreh për televizionin grek, sepse nuk e kishte një armë të tillë.
Ermioni përmendi edhe një episod me policinë shqiptare kur shkuan për kontroll në banesën e prindërve të saj në fshatin Bularat.
Ajo thotë se policia i kërkoi nënës së saj që të fliste shqip. ‘Çfarë është këtu, Greqi’. Me këto fjalë, sipas Ermionit, iu drejtuan forcat e policisë nënës së saj, për të cilën thotë se nuk di shqip.
Motra e Kostandino Kaçifas foli edhe për ekspertizën e dytë që po i bëhet trupit të vëllait të saj, duke vonuar kështu ceremoninë mortore.