Në tre dekadat e fundit, temperatura mesatare në Europë është ngritur me 1 gradë celsius. Por, jo të gjitha vendet e kontinentit të vjetër i kanë vuajtur njësoj ndryshimet klimatike.
Të dhënat më të fundit tregojnë se Shqipëria, e përfaqësuar me Tiranën në raport, është një prej vendeve më pak të prekura, pasi temperatura mesatare, që prej vitit 1990 është rritur me vetëm 0.74 gradë celsius. Madje, siç e tregon qartë harta, Shqipëria, me ngjyrën e verdhë, është një prej vendeve më pak të prekura nga këto ndryshime.
Vendet që ilustrohen me ngjyrën e kuqe, janë ato më problematiket. Në qytete të ndryshme të Europës sidomos në Spanjë, temperaturat janë rritur me më shumë se 1.5 gradë celsius. Kështu, në vendin tonë, temperatura mesatare është ngjitur në 15.2 gradë celsius, nga 14.5 gradë celsius që ishte dy dekada më parë. Por, të dhënat flasin edhe për një rritje të ndjeshme të ditëve të nxehta, nga 1.6 më parë, në 8.2 mesatarisht në shekullin e 21-të.
Ndryshimet klimatike sjellin motin ekstrem, pra ditë mjaft të nxehta në verë dhe acar në dimër; problematika , jo pak të hasura gjatë viteve të fundit në vendin tonë. Një studim i pak kohëve më parë ndërkohë, tregonte se brenda vitit 2050, Shqipëria nuk do të ketë më një klimë mesdhetare, por kontinentale, me më shumë thatësirë dhe ngrica për rrjedhojë. Ky ndryshim përkthehet në kosto mjaft të mëdha për ekonominë shqiptare, sidomos në bujqësi. Gjatë viteve të fundit, reshjet e shumta por edhe acari kanë shkaktuar dëme mjaft të mëdha në këtë sektor, duke sjellë edhe pasoja të parikuperueshme.