Saimir Tahiri u përpoq sot që të fshehë të vërtetën për përgjigjen e Gjykatës së Katanias në lidhje me pushimin e hetimit ndaj tij. Në një konferencë për mediat ai tha se Italia nuk po e heton dhe këtë e faktoi me dokumentin që publikoi, por nuk tha se çfarë shkruhet në të vërtetë në atë dokument.
Tahirit sot nuk sqaroi se hetimi ndaj tij është pushuar pasi Prokuroria e Antimafias Italiane nuk ka gjetur një vepër penale që ish-ministrit ta ketë kryer në Itali e për këtë shkak ndaj tij nuk mund të merrej asnjë masë.
Pra, në Itali ai nuk ka kryer shkelje penale. Por e vërteta është se Italia e ka shprehur për territorin e saj, ndërsa shkeljet penale ai i ka bërë në Shqipëri.
Për këtë reagoi sot edhe Partia Demokratike e cila akuzoi ish-ministrin se ka kërcënuar sot drejtësinë shqiptare kur paralajmëroi . Nëpërmjet këshilltarit ligjor Gazmend Bardhi, PD tha se Tahiri është simbol i politikanit mafioz.
“Dokumenti që paraqiti sot Tahiri është pavlefshëm. Ai nuk po hetohet nga Italia. Ai kërcënoi sot në mënyrë indirekte të gjithë ata që kanë prova apo dëshmi kundër të tij. Tahiri është simbol i politikanit mafioz. Prokuroria duhet të hetojë për të. Duke kërcënuar punonjësit e policisë ai përbën rrezik për prishjen e provave. Të vazhdojnë hetimet dhe një kriminel si Saimir Tahiri të mos shpëtojë pa u ndëshkuar”, u shpreh ai.
Kujtojmë që ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në konferencën e mbajtur sot në hotel “Rogner”, pasi deklaroi pafajsinë e tij nuk kurseu akuzat për opozitën.
Tahiri duke përmendur emra akuzoi politikanët e opozitës për përfshirjen e tyre në çështje më të rënda sesa atë në të cilën po hetohet. Ish ministri ndër të tjera tha se ata jo vetëm kanë larë duart me drejtësinë, por edhe kanë tallur ‘kurabien’ me popullin.
“Por nuk kanë faj që e mendojnë kështu. Nuk e kam të largët natën kur Saliu e Luli i shkuan për darkë në shtëpi në atë kohë të pandehurit Ilir Meta, vetëm një ditë para vendimit të gjykatës. E pasi kishin larë duart me drejtësinë, tallnin kurabien me popullin duke i treguar sa mirë kishte gatuar Monika rosën me kumbulla”,tha Tahiri.