“Fiks Fare” solli mbrëmjen e së premtes historinë e familjes Gjomemo nga Saranda.
Vajza e kësaj familjeje, Aida tregon se jetesa e tyre është bërë e pamundur nga zhurmat, ndotja dhe temperatura që shkakton një “Fast Food”, që është poshtë apartamentit të tyre.
Aida tregon për Fiksin se ka 3 vite që nuk ka lënë institucion pa trokitur.
“Ku s’kemi trokitur, nuk po gjejmë zgjidhje. E çuam edhe në gjykatë, gjykata vendosi që të eliminohen zhurmat. Ndaj e çoj në Zyrën e Përmbarimit, por edhe ajo na zvarriti”.
Gazetarët e Fiksit shkuan në Zyrën Përmbarimore, ku përmbaruesi Erjon Bejko tha se e kishte bërë ekzekutimin e vendimit të gjykatës . “Vërtet ne bëmë matje edhe të ndotjes, edhe të temperaturës, por objekti i vendimit ishte eliminimi i zhurmave dhe ne e kemi bërë këtë”, u shpreh ai.
Institucioni, që ka pajisur me leje mjedisore të tipit C subjektin “Fast Food”, është Agjencia Rajonale e Mjedisit Vlorë, e cila në përgjigjen që i kthen emisionit “Fiks Fare” thotë se nuk ka kompetenca për të kontrolluar dhe monitoruar subjektet.