Italia nuk e bllokon dot projektin e gazsjellësit, 'mbijeton' TAP

Saturday, 03 November 2018 10:42

Kostot e ndalimit të ndërtimit të gazsjellësit TAP mund të jenë shumë të larta për Italinë

Gjatë fushatës zgjedhore, partia politike, “Lëvizja Pesë Yjet” deklaroi, pa më të voglin dyshim, se ndërtimi i gazsjellësit TAP do të ndalej brenda një kohe të shkurtër, shkruan Il Sole24ore.

Po ashtu, u tha se infrastruktura për ndërtimin e gazsjellësit që parashikohet të përfundojë në 2020 dhe që do të sjellë në Pulia rreth 10 miliardë metra kub gaz nga Azerbajxhani, mund të konsiderohej një kapitull i mbyllur. Por shumë shpejt, anëtarët e partisë “Lëvizja Pesë Yjet”, e kuptuan se ndalimi i ndërtimit të gazsjellësit nuk ishte aq i lehtë sa ata kishin menduar dhe se ndonjëherë sloganet zgjedhore ishin të destinuara të mbeteshin të tilla.

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave të zhvilluar së fundmi, në të cilën morën pjesë Kryeministri Conte, ministrat Costa dhe Lezzi, zëvendësministri Cioffi (në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik), kryetari i bashkisë së Melendugnos, z. Poti, dhe përfaqësues të tjerë të partisë “Lëvizja Pesë yjet”, u konfirmua se tani për tani, ndërtimi i gazsjellësit TAP nuk do të ndalet dhe madje u la të kuptohet se edhe ndalimi i tij, në një periudhë më të vonë, thuajse nuk ekziston.

Arsyet pse ndërtimi i tij nuk mund të ndalet

Ekzistojnë të paktën 3 arsye: nëse Italia do ta ndalonte ndërtimin e projektit ose do të vendoste të ndryshonte vendndodhjen e Melendugnos që është në projektin aktual dhe ta zëvendësonte atë me zonën industriale të Brindisit, ajo do të ekspozohej shumë ndaj rrezikut të një ndëshkimi të rëndë.

Për më tepër, projekti është në përputhje me të gjitha rregulloret dhe pjesë e angazhimeve ndërkombëtare të ndërmarra nga Italia, dhe deri më tani nuk është vënë re asnjë parregullsi në këtë projekt.

Nëse kryebashkiaku Poti, kundërshtar i flaktë i ndërtimit të gazsjellësit, së bashku me disa kryebashkiakë të tjerë të zonës së Salentos, vazhdojnë të kërkojnë ndalimin e ndërtimit të gazsjellësit duke i bërë vazhdimisht thirrje qeverisë për të pasur një qasje politikisht armiqësore ndaj gazsjellësit, ndryshe nga ajo e z. Letta, z. Renzi dhe z. Gentilioni, ministri Lezzi pohon se do të merret një vendim, edhe pse alternativat e zgjedhjes nuk janë të shumta. Z. Lezzi tha më tej “se kostot financiare me të cilat do të përballet vendi ynë, në rast të një skenari kur Italia e ndalon ndërtimin e gazsjellësit, do të ishin shumë të larta. Qeveria jonë nuk mund t’i përballojë kosto të tilla dhe ne nuk duam që kjo barrë të bjerë mbi qytetarët tanë”. Bëhet fjalë për disa miliarda.

Po në të njëjtën mënyrë si në rastin e mëparshëm të kompanisë Ilva, kritikat në lidhje me TAP-in për mashtrim dhe tradhti po shtohen. Por edhe në këtë rast, z. Lezzi thekson se “nuk kemi pse të na vijë turp, sepse nuk kemi pasur në dispozicion një sërë të dhënash, të cilat sapo t’i kemi, do t’i publikojmë”. A është kjo një humbje për qeverinë? Kësaj pyetjeje, ministri Lezzi i përgjigjet prerë: “Absolutisht, jo! E përjetova si një disfatë traktatin e vitit 2013. Sot i kemi duart e lidhura. Kostoja me të cilën ne do të përballemi në rast se e ndalim ndërtimin e gazsjellësit, do të jetë e lartë dhe ne nuk mund kurrsesi ta përballojmë atë”.

Edhe për sa i përket kompanisë së çelikut Ilva, z. Di Maio, do të kishte dashur që të shkatërronte gjithçka. Në realitet, ai u përpoq të arrinte një marrëveshje me kompaninë shumëkombëshe Arcelor Mittal, me të cilin ekzistonte ndërkohë një konflikt i hapur nga qeveria e mëparshme. Duke përmendur këtu edhe qëndrimin e Autoritetit Kundër Korrupsionit dhe Prokurorit të Shtetit, vështirësia e kësaj marrëveshjeje rritej edhe më shumë.

Në fund, Di Maio dha miratimin e tij ndaj Mittal dhe kompania italiane e hekurit Ilva vazhdoi të funksiononte dhe nuk u mbyll. Menjëherë pas këtij vendimi, z. Di Maio u përball me një lumë akuzash nga votuesit e zhgënjyer dhe nga lëvizjet radikale.

Për sa i përket TAP-it, ministri Costa deklaron: “Për projektin e gazsjellësit do të ketë kontrolle mbi hartografinë. Na është thënë se nuk përkojnë me njëra-tjetrën, prandaj do t’i verifikojmë në ministri. Ne po arsyetojmë jo vetëm aspektin teknik por edhe atë administrativ, në mënyrë që të mos krijojmë një mosmarrëveshje që do të kishte pasoja shkatërruese. Nëse nuk do të gjejmë parregullsi, do t’i kemi duart e lidhura, por jo sepse nuk e donim ne”.

Për këtë arsye do të bëhet një studim i mëtejshëm më i detajuar, por pas mbledhjes që u zhvillua në Pallatin Chigi, duket se janë shuar shpresat e shumë prej atyre që e kundërshtonin ndërtimin e një gazsjellësit, duke e cilësuar atë si të panevojshëm dhe të dëmshëm për mjedisin dhe që sipas tyre ai është thjesht një vepër e BE-së për të diversifikuar burimet e furnizimit me gaz.

Ndërkohë të gjithë kundërshtarët e ndërtimit të TAP, protagonistë të protestave të ashpra në muajt e kaluar dhe përleshjeve me forcat e policisë, kur pemët e ullirit të pranishme në kantierin e ndërtimit u zhvendosën përkohësisht, kanë filluar të hedhin sërish akuza mbi partinë “Lëvizja Pesë Yjet”: “Jepni dorëheqjen nëse nuk jeni në gjendje të ndalni punimet për ndërtimin e TAP-it”.

Për Gianluca Maggiore, zëdhënës i grupit të atyre që nuk e mbështesin ndërtimin e TAP-it, “ekziston një forcë qeveritare që ka kontakte me ata që financojnë gazsjellësin (duke iu referuar partisë ‘Liga e Veriut’)”. “Është momenti i duhur që ne të vendosim atë që duam të bëjmë”, theksoi z. Maggiore. “Nëse nuk jeni në gjendje që të ndalni ndërtimin e një projekti sepse është i paligjshëm, apo se nuk ka asgjë strategjike, atëherë duhet ta bëni, sepse këtë gjë po jua kërkojnë njerëzit që ju kanë zgjedhur në pushtet, në të kundërt largohuni”, tha me tej z. Maggiore.

Përpara zhvillimit të mbledhjes, z. Salvini, lideri i partisë “Liga e Veriut” deklaroi se partia e tij nuk ka qenë asnjëherë dakord që punimet për ndërtimin e TAP-it të ndaleshin (dhe nuk ishte as për mbyllen e Ilva-s). Duke e vënë theksin te kursimet në kostot e energjisë që do të vijnë si pasojë e ndërtimit të gazsjellësit TAP, z. Salvini tha se mbi të gjitha, Italia ka nevojë për një përmirësim emergjent në fushën e infrastrukturës dhe ajo ka nevojë për më shumë hekurudha.

Edhe pse punimet në Salento ishin ndërprerë, ato priten të fillojnë sa më parë. Burime nga TAP deklarojnë se 80% e këtij projekti ka përfunduar (por mes Greqisë dhe Shqipërisë) dhe sigurojnë se ka ende kohë, pavarësisht të gjithave, për të transportuar sasinë e parë të gazit në vitin 2020./ Monitor

Login to post comments