Zbardhet video e aksidentit të datës 31 tetor të ndodhur në superstradën Lezhë-Milot, ku humbi jetën 78-vjeçari Zef Milloshi.
Siç shihet edhe pamjet e kamerave të sigurisë të një biznesi aty pranë aksidenti ndodhi pranë kryqëzimit të Rrillës rreth orës 7 e 18 minuta. I moshuari po lëvizte nga Rrila në drejtim të superstradës me biçikletë dhe siç duket dhe nga pamjet ai ka hyrë në mënyre të menjëhershme në superstradë për të prere rrugën, pavarësisht se kamioni po lëvizte me shpejtësi në drejtim të Lezhës.
Momenti kur kamioni përplas të moshuarin me bicikletë
Goditja e kamionit ka qenë fatale duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të Zef Milloshit. Siç duket nga pamjet filmike drejtuesi i kamionit nuk e ka parë biçikletën, e si pasojë nuk ka bërë asnjë manovër për të shmangur aksidentin. Goditja ka qenë e fortë, duke e spostuar për disa metra viktimën nga vendi i përplasjes fillestare, çka i shkaktoi dhe vdekjen e menjëhershme, ndërsa pas përplasjes kamioni ka lëvizur edhe rreth 200 metra nga vendi i ngjarjes dhe më pas është ndaluar.
Por ajo çfarë vihet re është fakti se edhe pse në momentin e ngjarjes ka pasur shumë lëvizje në rruge asnjë nga kalimtaret nuk është ndaluar në vendin e aksidentit edhe pse viktima ishte në mes të rrugës. Kryqëzimi i Rrilës në superstradën Lezhë-Milot është një nga pikat e zeza sa i përket aksidenteve ku në harkun kohor të 10 viteve numërohen më shumë se 12 persona të cilët kanë humbur jetën në këtë vend. Në shumicën e rasteve ka qenë pakujdesia e kalimtareve të cilët kanë tentuar për të kaluar autostradën që është bërë shkak për aksidente me pasoja fatale për jetën./report tv