Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë identifikojnë autorin e dyshuar të ngjarjes se ndodhur më 14 Janar 2018 ku mbeti i vrarë Emiljano Boçi.
Identifikimi i autorit të dyshuar pas një hetimi disa mujor me metoda speciale të hetimit nga Seksioni për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kapet dhe vihet në pranga Tori (Hektor) Xhecuka, 30 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe të “ Prodhimit dhe mbajtjes së armëve luftarake”.
30-vjeçari është autor i dyshuar i ngjarjes së ndodhur në datën 14 Janar 2018 në rrugën “Shefqet Musaraj”, ku mbeti i vrarë shtetasi Emiljano Boçi, si dhe autor i dyshuar i “Vrasjes së mbetur në Tentativë” të shtetasit M.D.
Për arsye hetimi në funksion të zbardhjes së plotë të kësaj ngjarje, nuk bëhen me dije detaje të tjera.
Për vitin 2018 Policia e Tiranës ka zbardhur të gjitha ngjarjet kriminale në fushën e vrasjes dhe të plagosjes.
Ekzekutimi
Ai u qëllua për vdekje në automjetin e tij menjëherë pasi doli nga një restorant në kryeqytet i shoqëruar nga e dashura e tij dhe miku i tij Melvin Disha, 27-vjeç i cili mbeti i plagosur. Autori ka qëlluar nga pjesa e pasme e makinës “Range Rover” në drejtim të vendit të shoferit çka tregon se objektivi ka qenë pikërisht viktima.
E dashura e 32-vjeçarit i ka shpëtuar mrekullisht plumbave të këtij atentati, ndërsa mësohet se ka qenë ajo e cila ka njoftuar forcat e policisë. Banorët përreth nuk kanë dëgjuar të shtëna, çka shton dyshimet se atentatori ka përdorur armë me silenciator. Policia ka shoqëruar rreth 20 persona të dyshuar për ngjarjen, por pas marrjes në pyetje ata janë lënë të lirë.